TIRANË- Ka nisur në aeroportin e Rinasit ceremonia e inaugurimit te kompanise se pare ajrore shqiptare Air Albania. Avioni i kompanisë së parë shqiptare të fluturimeve, është ulur pak çaste më parë në aeroportin “Nënë Tereza”.

Avioni është pritur me ceremoni të veçantë ku dy zjarrfikëse kanë hedhur ujë. Air Albania kryen nesër fluturimin e provës ndërsa pasnesër pritet të kryejë fluturimin e parë komercial.

Gjatë fjalës së tij në ceremoni kryeministri Edi Rama tha se me ‘Air Albania’ është përmbushur një ëndërr që dukej e pamundur. Rama tha se me kompaninë kombëtarë te fluturimit nis një rrugë ndërlidhëse me Evropën, por edhe më tej.

“Përmbushim një ëndërr që dukej e pamundur, por që u realizua. Kompaninë ajrore të flamurit kuqezi ‘Air Albania’. Është një ëndërr që sot merr krahë për të filluar një ëndërr prej shumë kohësh. ‘Air Albania’ është një vepër kombëtare. E vërteta është se shteti shqiptar nuk mund të ndjehet plotësisht i rezultuar nëse neglizhon pozicionin e vet në hartën dhe kullat e vendeve ku udhëtojnë shqiptarët. Me kompaninë kombëtarë te fluturimit ne kemi nisur rrugën ndërlidhëse me Evropën, por edhe më tej. Sot falë ‘Air Albania’ ne mund të fluturojmë. Nuk e di si do përkthehet kjo për miqtë tanë, por duhet të fluturojmë me këmbë në tokë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Air Albania nuk është vetëm një kompani shqiptare por ku shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner për të garantuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Dëshmitarët mund të tregojnë shumë se nga u nisën kur aplikuan hajt ta provojmë njëherë. Shumica prej tyre nuk e ka imagjinuar se sa shpejt do vinte kjo ditë dhe do visheshin me ngjyrat e flamurit kuq e zi. Ndërkohë për të aplikuar të tërë modelin është dashur punë, është dashur mund dhe orë të tëra dhe sot nuk kemi thjesht një kompani që ka një emër që na përfaqëson të gjithë por një kompani ku shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner si një garant dhe njëkohësisht si një prani për të përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi që kanë pasaportën e këtij vendi por edhe e gjithë shqiptarëve që do ta përdorin Air Albania.
Mjafton t’ju them se rritja e numrit të fluturimeve të shqiptarëve është mbresëlënëse përtej problemeve që kemi me zhvillimin e domosdoshëm ekonomik, shifrat flasin për një numër udhëtimesh dhe udhëtarësh shqiptarë me një rritje eksponenciale por nga ana tjetër tregojnë se 99% e këtyre fluturimeve mbulojnë vetëm distanca të shkurtra që nuk i kalojnë 120 minuta. Ambicia jonë është që me Air Albania të shkojmë përtej kësaj. Në 1994 Shqipëria ka tentuar për të pasur një kompani fluturimi europiane dhe asaj kohe u krijua Adria Aerolloid. Ne sot jemi i vetmi vend në Europë që kemi vetëm një aeroport. Pistat e atëhershme ishin vetëm disa rrugë të paasfaltuara por shqiptarët fluturonin me avionë për në Peshkopi, për në Gjirokastër për në Korçë. Nuk po them që ky është synimi i së ardhmes por duam që të mos kemi një aeroport por të kemi të paktën edhe tre aeroporte. Atë të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës”, tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe ankesat e qytetarëve për çmimet e biletave por tha se kjo është kostoja e trashëgimisë dhe se Air Albania është një instrument që kjo situatë të ndryshojë ashtu si edhe ndërtimi i aeroporteve të tjera në vend.

“Unë i dëgjoj kërkesat e shqiptarëve për çmimet e biletave. Janë në të drejtën e tyre që gjithë atë mllef që akumulohet nga kjo grabitje që u bëhet ta derdhin mbi qeverinë dhe ta derdhin mbi mua. Nga ana tjetër kjo është kostoja e trashëgimisë që kemi mbi supe dhe nga e cila po çlirohemi hap pas hapi. Air Albania është një nga instrumentet për t’u çliruar nga kjo trashëgimi me një shërbim dinjitoz dhe çmime konkurruese. Ashtu si ndërtimi i aeroporteve të tjera çon në këtë rrugë”, tha Rama.

Kryeministri shpjegoi edhe emrat e vendosur avionëve të rinj.

“Për ne që jemi të këtij vendi dhe që jemi të mësuar me atë çka na kujton menjëherë ai që Klemend Aderi e pagëzoi në 1875 si aparati fluturës që imiton zogun, shqiponja është gjëja e parë që mendojmë kur mendojmë për fluturimin. Ndërkohë që me këtë rast mësuam që aparatet fluturuese që imitojnë zogjtë duhet të kenë edhe emra. Dhe zgjodhëm që shqiponjave tona tu vëmë emrat e poetëve tanë. I pari është Lasgushi dhe tjetri që do vijë menjëherë pas fluturimeve test që do bëhen gjatë një muaji Stamboll-Tiranë do jetë Migjeni. Ambicia jonë është që në muajt në vijim të çojmë direkt nga Tiranë në Nju Jork Imzot Nolin. Po e mbyll me Lasgushin që kemi mbrapa duke nxjerrë 4 vargje nga ‘Vallja e Yjeve’. Falënderoj djemtë dhe vajzat e ‘Air Albania’. Veshjet e tyre nuk kanë të sharë, ose kush i shan është i sharë”- tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)