TIRANË

Të rinjtë e FRPD kanë qenë sot në selinë e PD për t’i gjetur sërish dyert e mbyllura. Më pas ata kanë dhënë një prononcim për mediat. Një prej tyre, i prezantuar si anëtar i kryesisë së FRPD, Mariglen Doçi tha se ai është krimineli për të cilin ka folur kryetari i PD Lulzim Basha dhe se është burgosur që ai të bëhet kryeministër.

“Ftoj mediat të ndjekin fjalën e një krimineli. Unë jam Mariglen Doçi, anëtar i kryesisë së FRPD dhe dua t’i them Lulzim Bashës, unë jam ai krimineli që po pëshpërisje në media dhe për shkak tëndin jam burgos, për të bërë ty kryeministër unë jam burgos. Si unë janë dhe 3300 qytetarë të tjerë, kriminelë, që janë proceduar, kanë qenë në burg për shkakun tënd, për të bërë ty kryeministër. PD nuk mund të mbyllet me hekura, ne nuk jemi kriminelë, jemi idealistë që e duam PD-në të çliruar jo me si këto metodat e tua. PD nuk duhet të ketë as dyer sepse është simbol i lirisë. Më datë 8 do çlirojmë selinë tonë nga shpura jote dhe më pas hap pas hapi edhe Shqipërinë”, tha ai.

Anëtarët e FRPD kanë vendosur disa adezivë ku shkruhej: “PD, parti e rinisë dhe jo burg i sigurisë së lartë”; “Jo bunkerit të diktatorit”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Një tjetër e ri e FRPD tha se t’i mbyllësh derën të rinjve është e paprecedentë.
“Nuk mendoj se ka nevojë të njoftohet administrata. Nuk besoj se jemi ne rrezik për këtë seli, një grup të rinjsh që duam të zhvillojmë një mbledhje organizative. Është një mbyllje dyersh për çdo mendim ndryshe, për çdo mendim kundër. Ne do të jemi më 8 janar pjesë e protestës”, tha ajo.

“Është hera e parë në këto 7 vite të angazhimit tim që përballem me një akt të tillë, uzurpues, banditesk. Pse zoti Basha zgjedh të ngujohet dhe ka frikë nga rinia e partisë së tij? Realitete të tilla janë të turpshme për pritshmëritë tona. Duam një parti të dyerve të hapura, që njeh votën, mundëson garën, arrin të krijojë meritokraci. PD është më shumë se kryetari. Shumësia e zemrave demokrate të cilat nuk e pranojnë këtë lloj politike të dyerve të mbyllura.
Më 8 janar unë do jem, këta të rinj do jenë dhe ftoj çdo demokrat të bëhet pjesë e kësaj proteste për t’i rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur PD-së”, u shpreh një tjetër i ri i FRPD.

“Ti mbyllësh derën të rinjve, do të thotë t’i mbyllësh derën të ardhmes. Turpi vazhdon. Dhe dje ishte e turpshme që u hoq sigla e FRPD nga dera ku ne hyjmë. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të na bashkohen më datë 8 për të marrë atë që na takon, sepse selia është e jona”, tha një anëtare e FRPD.

Një nga anëtarët e tjerë të FRPD e cilësoi si turp mbylljen e dyerve të selisë blu. Ai tha se Basha duhet të japë dorëheqjen dhe kjo është ajo që kërkon rinia.
“Tentuam të futemi në selinë tonë. Blindimi i dyerve të shtëpisë së demokratëve ishte turpi i fundit të Lul turpit. A thua se s’ka demokratë t’i dalin për zot shtëpisë së tyre. Harroje Lul Basha se mund të bëhesh gangrenë për PD. Ne jemi arrestuar që ai të bëhet kryeministër, e më vjen turp që kam luftuar për të. Ai mendon se po zgjedh të ardhmen, por e ardhmja dhe rinia do të jetë në 8 janar në protestën ku do të çlirohet PD nga tentakulat e Bashës. Basha s’e lejon të japë dorëheqjen. Blindimet e selisë i ka zakon vetëm Edi Rama”.

Ndërsa një tjetër anëtar tha: “Di të them që ne të rinjtë do të jemi pjesë aktive e protestës, të shumtë në numër. Kjo protestë do të konkretizohet me çlirimin e selisë së PD. Anëtarët janë shprehur qartë, nuk duan që PD të drejtohet nga Basha. Protesta do të bëhet për të çuar në fund vendimet e referendumit të datës 18 dhe vendimet e Kuvendit të datës 11”, tha i riu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb