PRISHTINË

Ka përfunduar mbledhja e dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti, në Prishtinë.

Në fund të mbledhjes, dy kryeministrat kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media, ku i pari ka folur kryeministri kosovar, Albin Kurti.

“Mandatet e të dy qeverive tona i kemi marrë në një kohë plot sfida. Përballja me pandeminë, me variantin eksploziv Delta, rimëkëmbja ekonomike, janë disa prej sfidave tona, për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku. Ne i gëzohemi tej mase zhvillimit në Shqipëri. Për realizimin e këtyre sfidave, qeveria dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë. Dy qeveritë tona kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, që priten prej kohësh nga qytetarët e të dy vendeve. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë barazi mes dy vendeve. Ndërlidhja e dy vendeve për heqjen e barrierave, që shkaktojnë pengesa, është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tona.

Biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes sonë të mirë dhe në veçanti u zotuam që e shohim si tejet të rëndësishëm koordinimit dhe sinkronizimin gjithandej.
Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e zbatimit të marrëveshjeve mes dy qeverive tona. Janë mbajtur deri më tani 16 takime, ku janë nënshkruar qindra marrëveshje. U vendos të nisin përgatitjet në dy kabinetet tona, me qëllim që mbledhja e ardhshme të jetë në mesin e muajit nëntor”, tha kryeministri Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb