TIRANE – Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të protestuar për lirimin e të arrestuarve në Kukës.

Disa qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe kanë hedhur akuza ndaj kryeministrit, madje duke u futur në ambientet e jashtme të Drejtorisë.

Një apel për lirimin e të arrestuarve e ka bërë edhe Këshilli Bashkiak i Kukësit, i cili ka paraqitur një deklaratë me 5 pika ku nuk pranon negociata deri në nxjerrjen e të arrestuarve.

Ashtu siç paralajmëroi edhe policia dje, Prokuroria e Kukësit ka lëshuar 23 urdhër arreste për protestuesit, të cilët u përleshën me forcat e rendit dhe i vunë flakën sporteleve të biletave që do të mbledhin taksat për Rrugën e Kombit.

Siç raportoi edhe pak më herët ‘BalkanWeb’, pas mesnate, forcat e policisë kanë mësyrë në banesat e personave që kanë qenë pjesë e protestës, dhe kanë arrestuar disa prej tyre. Familjarët e të arrestuarve u mblodhën mëngjesin e sotëm para Komisariatit të Policisë së Kukësit, duke kërkuar sqarime për të afërmit e tyre.

29994505_414715202287655_1109897012_o

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb