TIRANË

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një dëgjesë publike kërkuar nga federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre, 4 vite pas operacionit “Fundi i marrëzisë” që mbylli loto-sportet dhe pikat e basteve.

Rama tha se dëgjesa vjen pas një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana e federatave që publikisht kanë përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizimin e basteve sportive.

Ai theksoi se

“E vërteta është që kjo ftesë për ta bërë këtë dëgjesë publike është një rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj që publikisht keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizimin e basteve sportive. Ne natyrisht që e kemi ndjekur këtë debat që ju keni hapur. Ministrja e Arsimit dhe e Sportit ka bërë edhe komunikime me ju për të dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Padyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatët e shumësportëshit, qoftë për FSHF, por nga ana tjetër kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë dua të them dy fjalë”, tha Rama.

Ai theksoi se “ne vendosëm të ndalojmë lojërat e fatit, duke pasur parasysh një situatë dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove, makinetave, ekraneve, basteve, një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por edhe me situata familjare të katandisura në tragjedi”.

“Për hir të së vërtetës ne besojmë se ka qenë një vendim i drejtë dhe i duhur. Në atë kohë debati i bërë në fakt kishte mbetur, përpara vendimmarrjes vetëm te bastet sportive online. Ishte një debat me pro dhe kundër brenda nesh, i nxitur dhe nga fakti se të gjithë partnerët me të cilët e përgatitëm atë vendimmarrje si ekspertë ndërkombëtarë, na këshillonin që këtë pjesë ta konsideronim si një pjesë jashtë vendimmarrjes së përgjithshme duke na paralajmëruar për rrezikun e madh të lulëzimit në të zezë të kësaj pjese si rezultat i teknologjisë. Por situata në atë moment ishte e tillë dhe nevoja për të qenë bardhë e zi ishte e tillë që ne nuk e morëm në konsideratë këtë fakt, pa llogaritur batërdinë në debatin politik, ku u hodhën pretendime pa asnjë bazë për gjoja përpjekjen për të devijuar të ardhurat në drejtime të caktuara”, u shpreh Rama.

Ai theksoi më tej se kjo periudhë kohe na ka dhënë mundësinë të shohim të dy anët e medaljes, të shohim edhe anën pozitive dhe anën negative në aspektin e lulëzimit të këtij aktiviteti online në të zezë.

“Ku policia e shtetit dhe këtu është zv. drejtori i policisë së shtetit, i cili në detyrën e mëparshme ka mbuluar dhe këtë pjesë, përpjekjen për të çuar para ligjit organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet, një përpjekje që ka pasur rezultatet e vet, por e cila ka hasur dhe në vështirësitë e veta objektive. Sot unë jam shumë i gatshëm të bëjmë këtë diskutim publik dhe brenda nesh kemi diskutimin tonë. Ministrja e Sportit natyrisht ka tendencën të jetë më shumë në krahun tuaj sepse të ardhurat nga një aktivitet të formalizuar do të ishin të konsiderueshme në funksion të sportit, në funksion të rinisë, në funksion të kulturës. Ministri i Brendshëm është këtu sepse siç thashë, kjo kornizë që ne kemi e ka përfshirë fuqimisht policinë e Shtetit në përpjekjen për t’i parandaluar dhe çuar para ligjit më pas organizimet dhe organizatorët e basteve online në të zezë, ku për hir të së vërtetës ka pasur dhe ka një pjesëmarrje aktive të disa elementëve të skeduar si profile të larta kriminale dhe drejtori i agjencisë së lojërave të fatit, e cila mbulon pjesën që është ligjërisht e qartë dhe nuk ka kompetencë të ndjekë aktivitetin ilegal, por që ka ekspertizën e vetë”, deklaroi Rama.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: