TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur pas seancës së sotme plenare, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. I pyetur nëse PS ka emër për ta propozuar në raundin e dytë dhe të tretë, Rama u përgjigj shkurt, jo.

“Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë dhe të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani. Jo (nuk ka emër për President për raundin e dytë dhe të tretë)”, tha Rama.

PD kërkon nga maxhoranca që t’i japë të drejtën opozitës për të bërë propozime për Presidentin e Republikës, ta diskutojë dhe më pas t’i japë votën për ta kaluar në parlament…

Pse për çfarë arsye duhet të bëjë kështu PS-ja? Të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces edhe t’ia kalojë këtë të drejtë kujt? Kujt ekzaktësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër se kemi lloj-lloj copash dhe çikash. Nuk e shoh dot ku qëndron logjika në këtë, s’ka logjikë. Ne kemi kaluar 2 herë në këtë proces kur kemi qenë në opozitë në drejtimin tim. Një herë kur ne kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84-ën, pavarësisht se si shkuan gjërat më pas, por një herë kur ne nuk kishim numrat. Pra, PD kishte numrat për të zgjedhur Presidentin dhe ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në tryezë. Kemi thënë gjërat tona, kemi bërë përpjekjen tonë dhe kemi vazhduar përpara pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një president tjetër, që ishte nga radhët e partisë së shumicës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: