TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se emrat e parë në listën e kandidatëve të PS për deputetë  në disa qarqe do të jenë emra të rinj. Ai ka prezantuar të parët në Shkodër, Vlorë, Korçë, Kukës e Dibër.

“Do të prek vetëm një element. Kush do jenë të parët në lista dhe me shumë kënaqësi po ja u jap këtë informacion. Duke qenë se tek të parët në lista nuk kemi asnjë debat. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe vajza.
Po filloj me paraqitjen e tyre.
Edona Bilali, vendi i parë në listën e Shkodrës, një personazh shumë i respektueshëm i komunitetit. Një vajzë e përfshirë prej vitesh me donatorët në mbështetje dhe nxitje të krijimit të ndërmarrjeve të vogla, pedagoge për vite me radhë, doktorantë në Austri për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare dhe administrim biznesi. Është një prurje krejt e re, vjen nga aktivizmi në komuniteti. Të rinjtë dhe të rejat në Shkodër e njohin, por besoj që e njohin dhe të tjerë. Punon me ta.

Më tutje
Pranvera Resulaj, vendi i parë në Vlorë, pranvera është një kandidate e mbështetur me shumë këmbëngulje nga gjithë komuniteti i biznesit të Vlorës dhe arsyeja e konsideratës së tyre është se Pranvera ka qenë për një periudhë kohe drejtore e Tatimeve në Vlorë dhe një drejtore Tatimesh që gëzon gjithë atë reputacion, si shërbëtore e biznesit, meriton respekt. Pranvera do të jetë në vendin e parë të listës së Vlorës.

Greta Duraku, e para në Kukës. Është një vajzë e angazhuar prej vitesh në sektorin privat.

Eni Zake, e para në Korçë, administratore e universitetit të Korçës, pedagoge për shumë vite, anëtare e këshillit bashkiak, me shumë aktivitet komunitar.

Lavdrim Krashi, i pari në Dibër, një emigrant profesionist. Prej vitit 1994 ka emigruar në Britaninë e Madhe. Është i njohur dhe i respektuar nga komuniteti dibran në Londër por dhe nga komuniteti dibran në përgjithësi, i përkushtuar ndaj njerëzve, me një rrugëtim mbresëlënës që e ka çuar në nivelin e nëpunësit publik në Bashkinë e Londrës. Është një mesazh jo vetëm për komunitetin dibran, por dhe gjithë komunitetin e madh të shqiptarëve emigrantë dhe një ilustrim konkret, i përpjekjes për ta çuar në nivel tjetër punën tonë dhe marrëdhëniet me emigrantët pasi kemi hedhur një bazë goxha të mirë”, prezantoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb