TIRANË

Ministria e Shëndetësisë ka dalë në një tjetër prononcim për mediat, pasi Shqipëria shënoi viktimën e parë me koronavirus.

Zv/ministrja Mira Rakacolli, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e së ndjerës, sqaroi edhe njëherë sëmundjet nga të cilat e ndjera vuante.

“Pacientja vuante nga isuficensa kardiake e rëndë, kishte prej shumë vitesh çrregullime të ritmit të zemrës, kishte sëmundje kronike të mushkërive, kishte sipertireozë dhe kishte kryer edhe by-pass kardiak.

Pavarësisht përpjekjeve maksimale nga ana e mjekëve, pacientja nuk mundi të mbijetojë. Deri në mëngjesit e sotëm ajo është trajtuar në mënyrë të izoluar. Sot paradite është kërkuar transferimi i saj në QSUT. Në çastet që po merreshin masat për transportin e saj, gjendja është rënduar dhe pacientja nuk ka mundur të mbijetojë”, tha zv.ministrja.

Më tej, Rakacolli përsëriti sërish thirrjen për qytetarët, që të bashkëpunojnë, nëse kanë pasur histori udhëtimi apo nëse kanë shenja të koronavirusit, pasi është një element shumë i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm.

“Ky virus, ashtu si gripi, prek moshat e mëdha dhe sidomos ato që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike.

Ju bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë me stafet mjekësore. Kushdo që ka histori udhëtimi duhet të vetëkarantinohet, kush ka shenja duhet të njoftojë në numrin 127. Kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve.

Në karantinë rrinë qytetarët e shëndoshë, por që dyshohet se mund të jenë prekur. Karantinë kemi në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë. Në karantinë mbahen persona që psh kanë ardhur nga jashtë dhe dyshohet se kanë pasur kontakte me persona të prekur. Vetëkarantimin do të thotë që ti rri në shtëpi”, deklaroi rakacolli.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb