VELIPOJE- Letra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Cako drejtuar ministrit të Brendshëm që e vinte në dijeni për mosfunksionimin e sistemit të radarëve në det, çka sipas tij ishte bërë pengesë për kapjen e skafeve me drogë që mund të niseshin nga Shqipëria është komentuar sot në mëngjesin e punës me gazetarët, nga kryeministri Rama.

I pyetur nga gazetarja e News 24, Elda Menga, pikërisht për këtë letër, kryeministri u ndal tek lufta ndaj trafikut të drogës, ndërsa të gjitha të tjerat i cilësoi “propagandë”.

“Nuk diskutohet që jemi në një fazë përmbyllëse të kësaj beteje, që nuk diskutohet që e kemi fituar. Nga ana tjetër bëhet gjithandej përpjekje për ta shpërndarë gjithë andej këtë lloj propagande, një lloj përpjekje e turpshme. Jemi në kushtet që edhe partnerët e konfirmojnë se territori është tërësisht i pastruar nga kjo mortje. E kam fjalën për kanabisin”,- tha Rama.

E duke vijuar në linjën se lufta ndaj kultivimit të drogës dhe trafikimit të saj është në rrugë të mbarë, kryeministri këshilloi: “Gjeni një tjetër film me se të merreni”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: