TIRANË- Pas sherrit prej më shumë se 30 minutash në komisionin e edukimit dhe medias, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka pranuar të dalë nga komisioni.

Në një situatë të nxehtë, Veliaj ka dalë jo pak i acaruar nga mbledhja ashtu siç ishin dhe deputetët e opozitës. Por në dalje Veliaj nuk e ka kursyer ironinë ndaj deputetëve të PD-së.

“Tirana do fitojë, mbajeni mend. Do i ftoj të vijnë edhe këta të gjithë që se dinë ku është teatri”, tha Veliaj.

Pesë minuta pas Veliajt, në formë demonstrative nga komisioni është larguar dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

“Dënoj me forcë bojkotin e maxhorancës, largimin e ministres së thirrur për të dhënë llogari për një krim të tillë. Narkokryetari i Bashkisë nuk mund të dhunojë opozitën dhe dështoi për ta bërë këtë”, tha Vokshi pas largimit të Kumbaros.

Sipas PD-së, prania e Veliaj në komision ishte e paligjshme pasi nuk ishte e parashikuar në rendin e ditës ku pritej raportimi i Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro për teatrin. Por nga ana tjetër për maxhorancën ishte e ligjshme pasi ishte kërkuar nga numri më i madh i deputetëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb