SHKODËR- Kryeprokurori Adriatik Llalla ishte i pranishëm sot në analizën vjetore të Prokurorisë së Shkodrës. Ky i fundit ka vlerësuar punën e prokurorisë në rastin e vrasjes së turistëve çekë, ndërsa kërkoi bashkëpunim më të mirë me policinë.

“Analizën vjetore këtu dëshiroj ta nis me vlerësimin për zgjidhjen e shpejtë ligjore të Prokurorisë së Shkodrës për një rast tragjik që ndodhi në vitin 2015, pikërisht vrasjen e dy turistëve çekë në zonën e Dukagjinit. Hetimet e shpejta dhe vendosja para përgjegjësisë ligjore të autorit të asaj vepre penale që shkaktoi me të drejtë revoltë qytetare, ishte një detyrim i të gjithë shtetit, si edhe një formë ndjese për atë krim që cënonte mikpritjen dhe humanizmin shkodran, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi”,- tha ai.

Duke u ndalur tek problematikat Llalla ftoi prokurorët e Shkodrës të hetojnë për të gjetur autorët e kultivimit të lëndëve narkotike dhe zyrtarët që mund ti mbështesin.

“Duke qëndruar tek treguesit vjetor të vitit 2015, për prokuroritë që janë nën juridiksionin e Apelit të Shkodrës, konstatohen një shpërndarje jo e njëjtë në volumin e punës. Prokuroria e Shkodrës dhe e Lezhës kanë pasur rritje të ndjeshme procedimesh, ndërkohë që prokuroritë e Kukësit, Tropojës dhe Pukës kanë pasur numër më të ulët referimesh dhe rastesh për trajtim. Por, të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara. Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale. Por po e përsëris porosinë që kam përcjellë edhe në analizat e tjera. Na takon ne si prokurorë për të realizuar koordinimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim që informacioni i tyre të përpunohet në mënyrë të tillë që të shërbejë për ngritje akuzash. Po ashtu, kërkohet nga të gjithë ju që të shtohen rastet e analizimit të çështjeve konkrete me institucionet e tjera. Nga informacioni që administrojmë, rezulton se në qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonat malore, mbetet problematike evidentimi i kultivuesve të lëndës narkotike. Pavarësisht operacioneve periodike policore, nuk janë zbuluar personat përgjegjës për këto vepra penale. Do të kërkoj nga ju që të shqyrtoni çdo informacion dhe të zhvilloni hetime proaktive për këto raste, me qëllim zbulimin e autorëve, por edhe të personave zyrtarë që mund t’i mbështesin”.

Më tej, Llalla tha se, falsifikimi i dokumenteve të pronësisë mbetet ende një problem për prokurorinë e Lezhës.

“Prokuroria e Lezhës duhet të vijojë të jetë më aktive, kryesisht në evidentimin e rasteve të fallsifikimit të pronave. Ju jeni në dijeni që Prokuroria ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa institucione të ekzekutivit, me qëllim evidentimin dhe kthimin e ligjshmërisë në çështjen e pronave. Po ashtu, kryesisht Prokuroria e Pukës dhe e Lezhës, duhet të vijojë të jetë më aktive në hetimin e veprave penale të dëmtimit të pyjeve. Këto zona kanë hapësira të mëdha pyjore, e cila është një trashëgimi natyrore që duhet ruajtur.

“Qeveria shqiptare ka marrë përsipër një Moratorium për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe ju takon ju si prokurorë të orientoni oficerët e policisë gjyqësore të institucioneve të tjera, që të hartojnë në mënyrën e duhur ligjore referimet për rastet e shkeljeve të tilla ligjore. Nga ana e Prokurorisë së Kukësit kërkohet rritja e numrit të hetimeve proaktive, kryesisht për veprat penale në fushën e kontrabandës dhe të krimeve të tjera financiare, shtoi Llalla ndër të tjera.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: