Reforma në Drejtësinë Penale, në vlerësimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, mund të realizohet më thjeshtë dhe me efikasitet, bazuar në ndryshimin e funksionimit të Policisë Gjyqësore dhe forcimit të kontrollit të prokurorëve.

Në një takim të zhvilluar ditën e Hënë (dt. 21.12.2015), me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve dhe të Apeleve, si edhe në praninë e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, kryeprokurori Llalla u shpreh se ”institucionet e drejtësisë përkrahin nevojën e reformimit të sistemit, duke synuar forcimin e rolit të prokurorit në hetimin penal”.

Duke përmendur vlerësimin paraprak të ekspertëve të Komisionit të Venecias për draftin e ndryshimeve kushtetuese, z. Llalla deklaroi para drejtuesve të strukturës së prokurorisë se ”Prokuroria Shqiptare, në takimin paraprak që ka zhvilluar me ekspertët e Komisionit të Venecias, ka prezantuar qëndrimin e saj. Synimi ynë bazohet në të paktën dy pika të rëndësishme; së pari : të forcohet roli i prokurorit në hetimet penale, duke i dhënë kompetenca të plota mbi policinë gjyqësore; dhe së dyti : forcimin e mekanizmave të kontrollit mbi aktivitetin e prokurorit.

Më tej, Llalla risolli në vemendjen e të pranishmëve rastin e arrestimit të dy prokurorëve, si edhe të disa gjyqtarëve pak muaj më parë, duke theksuar se ”këto raste janë dëshmi që në sistemin e drejtësisë ka elementë të përfshirë në veprime korruptive dhe ne kemi aftësinë për t’u vetëpastruar”. Ai kërkoi nga drejtuesit e prokurorëve që t’i përcjellin çdo prokurori të Republikës së Shqipërisë që karakterizohet nga integritet dhe përgjegjësi e lartë se do të kenë mbështetjen e plotë të Prokurorisë së Përgjithshme. Sikurse, nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi me detyrën”, u shpreh Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm theksoi në vijim se ”Prokuroria Shqiptare do të vijojë të japë kontributin e saj në hartimin e draftit për Reformën në Drejtësi”, duke kërkuar njëkohësisht që ”institucionet e drejtësisë, përfaqësuesit e saj me përvojë, duhet të jenë pjesë aktive e formulimit të dispozitave që kanë qëllimin pozitiv të forcimit të sistemit të drejtësisë”.

Në takim përshëndeti edhe Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili u shpreh se mbështet nevojën e forcimit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme të institucionit të Prokurorisë, si edhe u shpreh se është shumë e nevojshme që të mbështetet dhe forcohet më tej roli i prokurorit në hetimin penal.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb