TIRANE – Transferohet në Elbasan kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Mësohet se urdhri për transferimin e Becit është lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e këtij vendimi.
Kryeprokurori Llalla ka komanduar Adnan Xholin në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë Eugen Beci emërohet drejtues i Prokurorisë së Elbasanit.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se shkarkimi i Eugen Becit është bërë për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa mësohet se ai është emëruar shef i Prokurorisë së Elbasanit.

“Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën. Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore. Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria sqaron më tej se: “Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beçi, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda”.
Prokurori Beci u emërua në krye të Krimeve të Rënda në dhjetor të vitit 2012. Nga viti 2004 deri në 2012-ën, Beci ka punuar si prokuror në këtë Prokurori, duke hetuar disa nga dosjet më të vështira me të cilat është përballur institucioni në fjalë, si dosjen e “Lazaratit” arrestimin e 7 personave për sponsorizim terrorizmi, si dhe vrasjen e komisarit të Shijakut Adem Tahiraj.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: