NGA FATMIRA NIKOLLI*

Një libër me poezi pas një karriere të gjatë në balet. Llaqi Nako, kalon nga gjuha e trupit në atë të shpirtit dhe kalon mandej në një bisedë për familjen, baletin dhe vargjet.

Mes miqsh, koreografi Llaqi Nako ka promovuar dje vëllimin me poezi “Kur bulëzojnë sythat” në bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve. I pranishëm në promovim, Jorgo Papingji u shpreh se Nako është një krijues i vërtetë që të bën ta pëlqesh jetën e ta ndjesh se jeton.

“Llaqi nuk është i ndrojtur në derën e poezisë. Vjen i pjekur dhe me kartën e tij të identitetit e ka derën të hapur. Ai na merr përdore e na thotë: hajde moshës t’i vëmë flakën, dhe mos thoni se u plakëm, se atë nuk besoj”. Ndërkaq, për historianen e letërsisë, Klara Kodra, “poezia e Nakos është fryt pjekurie me shije të veçantë. Nuk përpiqet të jetë i errët që të jetë i thellë. Është i qartë, i thjeshtë. Poezia e tij është realiste si shndërrim i realitetit”.

“Libri nis me daljen e sythave dhe mbyllet me homazh vjeshte, që lë pas trishtimin”. Llaqi Nako, i njohur si koreograf, e shpjegon kështu librin e tij me poezi. Për të, kjo kurbë, nga sythat e pranverës në ardhjen e trishtë të vjeshtës, nuk është vetëm cikli i tij: vendoset në një rrafsh më të gjerë. Në brendësi, libri ka një shtrirje tematike, nga çështjet sociale, erotike, deri tek ato romantike. “Jam përpjekur të mos shkruaj gjatë, edhe pse e shkruara shkurt është më e vështirë, sepse duhet të përmbledhësh dhe të jesh lakonik”.

– Kush i ka realizuar ilustrimet e poezive?
Ilustrimet që shoqërojnë poezitë janë realizuar nga ime bijë, Alba Mezini, që jeton në SHBA, dhe i ka realizuar si kornizë për poezitë.

– Sa ju ka ndihmuar baleti për poezitë?
Të gjitha artet konvergojnë me njëra-tjetrën. Ato janë me ligjësi të përbashkëta. Baleti është art forme, mbështetet në figura plastike dhe në fizikun e njeriut. Edhe piktura është art forme. Muzika është harmoni, harmonia është formë e tingull mbështetur në hapësirë. Këto së bashku kanë një lidhje të brendshme dinamike që duhet të dish ta marrësh dhe ta pasqyrosh.

– A do shkruani sërish poezi?
Kjo nuk është në dorën time. Nuk jam indiferent ndaj atyre që më ngacmojnë dhe më japin një ndjesi që dua ta përcjell gjithmonë me mjete artistike. Nuk varet nga unë, por nga realiteti. Nuk ulem të gërmoj e të shkruaj. Më ndjell vetë ajo që dua të them. Vajza është piktore dhe sot më thotë se “pse nuk më fute në balet”. Unë i them që “bëra mirë, sepse baleti të çoi te piktura”.

– Klara Kodra foli për shndërrim të realitetit në poezinë tuaj?
Klara tha në fjalën e vet se aktualisht poezia është një gjini e artit që është jashtë mode, lexohet gjithnjë e më pak. Poezia mbetet gjithmonë pronë e një elite që sa vjen e zvogëlohet, por gjithsesi vërehet në poezinë shqiptare një lloj hermetizmi, një lloj imitimi i -izmëve të ndryshme, për të prurë poezinë më në kohë dhe për të shprehur realitetin.

Do thosha që një poezi që nuk del nga shpirti nuk mund të ngacmojë dëgjuesin, dhe nëse ajo mbetet pa lidhje organike mes poetit e lexuesit, atëherë thahet dhe nuk kemi më poezi.

– Si mësues i brezave të tërë të balerinëve, si e shihni brezin e ri?
Kjo do një përgjigje të gjerë. Në përgjithësi në psikologjinë tonë e kemi si motiv të brendshëm të mbetemi kritikë ndaj gjithçkaje që zhvillohet tani, sepse ne mendojmë se gjithçka fillon kur kemi filluar ne. E çdo gjë që nuk ka qenë e kohës sonë është e gjykuar, është e anatemuar, është e kritikuar etj. Unë nuk jam i këtij mendimi. Mendoj se në balet, ka një zhvillim në gjerësi e cilësi.

E thashë që është temë e gjerë, jo se s’di ta argumentoj. Kështu siç është baleti është në gjendje të mirë, por mundësitë që janë për të rritur nivelin cilësor të tij, janë pak. Së pari me një kualifikim më cilësor të atyre që drejtojnë këtë hapësirë të shtrirë të balerinëve të rinj dhe njëkohësisht duhen ambiente, duhen ballafaqime. Po marr një tregues: nëse Kombëtarja jonë(e futbollit) nuk do të kishte bërë aktivitete ndërkombëtare, nuk do të kishte arritur atë cilësi loje dhe atë nivel. Këto ballafaqime të japin dhe të rrisin nivelin e performancës.

– Pika e fortë e baletit shqiptar ka qenë teknika. Është ende?
Shkolla e baletit shqiptar është shkollë ruse. Mendimi im është që, nëse themi “shkolla ruse”, flasim për atë të para 50-60 viteve. Në një kohë që vetë shkolla ruse sot, ka një evoluim të jashtëzakonshëm. Po ku e njohim ne këtë shkollë? Duhet të vemi, të bëjmë aktivitete, uorkshope, dhe atë dinamikë që ka shkolla ruse ta biem këtu. Atëherë do jemi të profilit të shkollës ruse. Ndërsa tani, ne jemi të traditës së shkollës ruse.

– Çfarë veçon nga vitet e mësimit të baletit?
Kur ke të bësh me emocione, asgjë nuk është dytësore; nëse ajo kalon përmes emocionit, është e bukur.

– Si i pret arritjet e Albit e Klaudias?
Padyshim shumë mirë. Albi është shumë më në formë. Nëse do kishte ndjekur rrugën time, do ishte tradicional, s’do kishte arritur asgjë. Për Klaudian më vjen mirë, se ka qenë me grupet e fëmijëve dhe pastaj, shumë rrethana e çuan deri aty sa edhe sot ka një gjë nga familja Nako.

***

Suzana Nako: Si e njoha tim shoq dhe jeta mes artistëve

Suzana Nako është ekonomiste me profesion. Prej disa dekadash, ka jetuar me një artist si Llaqi Nako dhe ka rritur dy të tjerë të tillë: Albi Nako (balerin-koreograf) dhe Alba Mezini (piktore). Gjatë promovimit të librit të të shoqit, ajo ishte e pranishme dhe në fund ndau me ne, disa detaje të jetës së saj. E pyetur se si ndihet në një familje artistësh, ajo tha se edhe në shtëpi, “fëmijët dhe bashkëshorti janë shumë të adhuruar”. Elegante dhe fjalëpakë, Suzana Nako tregon se me të shoqin është njohur në fshat ndërsa familja e saj ishte dërguar të punonte në prodhim. Ishte veçse gjimnaziste dhe prej asaj kohe kanë kaluar shumë vite, në të cilat ajo pranon se kanë qenë të lumtur dhe se e ka ndjekur kudo, edhe pse nuk ka qenë xheloze.
– Ka qenë e vështirë të jetoni me artistë?
Jo, të them të drejtën, unë për vajzën që është më e madhe, sesa Albi, kam qenë e para që e kam diktuar se ajo do të bëhej piktore, sepse kishte të dhëna. Në një kohë kur Llaqi më thoshte: Jo, nuk e besoj. Unë e kam regjistruar vetë në Pallatin e Pionierëve për konkursin e pikturës. Kur erdhi puna për të konkurruar, Llaqi ishte me turne në Turqi, unë e shoqërova vajzën dhe e prisja te dera e Liceut Artistik.
Ajo ka dalë e katërta në 200 konkurrues. Edhe në Akademinë e Arteve doli shumë mirë.
– Ju është dashur të sakrifikoni?
Gjatë kësaj rruge kemi sakrifikuar për ta, por më tepër është marrë Llaqi, por jo edhe aq, se ai nuk donte të ndërhynte, ndaj ata kanë ecur vetë.
– Çfarë profesioni keni ju?
Unë kam qenë ekonomiste.
– Dhe si u njohët me Llaqi Nakon?
Kisha shkuar në fshat te prindërit e mi. Ata në fakt kanë qenë në Tiranë, por Enver Hoxha bëri një letër të Komitetit Qendror që gjoja kuadrot duhet të shkojnë në prodhim. Babai im nuk priti t’i thoshin ik, por iku bashkë me familjen.
– Ju në ç’moshë ishit?
Unë asokohe isha në të mesmen, në vit të dytë për ekonomik. Kur më thanë se do të shkonin në aksion, unë nisa të qaja. Kur më pyetën se çfarë kisha, u thashë: Unë nuk kam mundësi që të shkoj në aksion, sepse mua më ka shkuar familja në prodhim. Duke qenë e re, isha e emocionuar. Llaqi ishte në atë kohë te Estrada e Ushtrisë, me të cilën shkonin nëpër fshatra. Ndodhi që erdhi në fshatin tonë. Kur erdhi puna që do të iknim atje, ka qenë shikimi i parë mes nesh.
– Çfarë ju pëlqente tek ai?
Të them të drejtën më ka tërhequr shumë, sidomos nga sytë që i kishte të veçantë.
– Dhe kur u ritakuat?
U kthyem në Tiranë dhe aty u takuam sërish rastësisht. E kam ndjekur që nga ajo kohë, kudo. Madje ishte njëra nga gratë e artistëve, që rrinte me mua dhe më thoshte: Mos e lë Llaqin vetëm. Kam qenë shumë e lidhur. Nuk ka pasur koncert apo teatër që nuk e kam shoqëruar. Në të gjitha vendet kemi qenë bashkë, prandaj kemi qenë shumë të lumtur.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: