Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dekoroi me “Medalje Nderi”, Zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane Vittorio Rizzi, për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese mes dy vendeve, në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit. Ministri Lleshaj vlerësoi lart kontributet e z. Rizzi në drejtim të rritjes dhe fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Në kuadër të bashkëpunimit, ai vuri në dukje faktin se së shpejti pritet që të firmoset një marrëveshje mes dy vendeve që do t’u mundësojë oficerëve të Policisë Shqiptare të studiojnë në Itali. Zv.drejtori i Policisë Italiane Vitorio Rizzi, njëherësh drejtor i Policisë Kriminale, shprehu falënderimet edhe në emër të Policisë Italiane për vlerësimin dhe medaljen e akorduar dhe theksoi se mes dy forcave të Policisë ekziston një bashkëpunim shumë i fortë. Ai e ilustroi këtë bashkëpunim përmes zbulimit të një episodi se si nisi ideja e operacionit për lirimin e vogëlushit Alvin Berisha. Rizzi vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e frytshëm me palën shqiptare, në rastin e operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Los Blancos”.

Fjala e ministrit Lleshaj:
I nderuar Shkëlqesia juaj Ambasador i Republikës Italiane,
I nderuar z. N.drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe Drejtor i Policisë Kriminale të Italisë, Prefekt Vittorio Rizzi,

Të nderuar zonja e zotërinj,
Për mua është kënaqësi e veçantë që sot kemi mundësinë të realizojmë këtë ceremoni të thjeshtë, për të vlerësuar kontributin e prefektit Rizzi në zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë.

Përmes vlerësimit të kontributit të Prefektit Rizzi ne në fakt e vlerësojmë nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat, por posaçërisht në fushën e sigurisë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë, marrëdhëniet midis strukturave të ministrive të brendshme, policive respektive të dy vendeve, kanë njohur një kreshendo të pandalshme viteve të fundit.

Janë të shumta fushat dhe sektorët, në të cilët ne bashkëpunojmë intensivisht, përmenda këto më të fundit sa për të mbajtur gjallë dhe të freskët kujtesën e të gjithëve, operacionet e mëdha që janë zhvilluar në fushën e luftës kundër krimit të organizuar. Vetëm sa për të përmendur operacionin e fundit “Los Blancos” ku roli i Italisë ishte i jashtëzakonshëm, e përmes këtij operacioni u dha një goditje shumë e fortë për krimin e organizuar, por edhe një mesazh shumë i fortë për nivelin e lartë dhe besueshmërinë e qëndrueshme midis strukturave tona të luftës kundër krimit.

Kjo do të thotë se niveli i goditjes është ngjitur lart dhe ka vajtur thellë, flas për nivelin e goditjes kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson dhe inkurajon për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe forcën e goditjes në të gjitha katet e krimit të organizuar. Gjithashtu ky operacion na tregon se tashmë niveli i besimit është i konsoliduar dhe ne mund të besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe mund të synojmë më tej.

Po ashtu e gjej me vend ta theksoj nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit që kemi pasur në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Misioni i monitorimit, i cili është realizuar nga Guardia di Finanza tregon dy gjëra: – së pari, se Shqipëria është e hapur, Shqipëria nuk fsheh, Shqipëria do bashkëpunim dhe nga ana tjetër ka treguar se Italia është e gatshme për të na mbështetur është e gatshme për të bashkëpunuar dhe falë gatishmërisë së të dy palëve ne mund të konstatojmë me kënaqësi që rezultatet e luftës kundër kanabisit kanë njohur një përmirësim të jashtëzakonshëm gjë që vëzhgohet lehtë në sasinë përherë në ulje, pothuajse drejt eliminimit të kanabisit të kapur në brigjet italiane me origjinë nga Shqipëria.

Shpresoj se në të ardhmen e afërt ne do të mund të ndërtojmë një urë të re bashkëpunimi që ka të bëjë me të ardhmen e largët, në kuptimin e hapjes së mundësive për arsimim të oficerëve të Policisë Shqiptare në institucionet italiane; arsimim dhe kualifikime të karakterit afatgjatë. Besoj se së shpejti do ta nënshkruajmë dokumentin përkatës, i cili është në thelb vijim ose rezultat i takimit të vitit të shkuar mes dy Ministrave të Brendshëm. Jam shumë i lumtur që ky angazhim po konkretizohet në një dokument, i cili do të hapë një perspektivë të re bashkëpunimi mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane.

Pak a shumë këto doja të thosha sa i përket bashkëpunimit dypalësh. I thashë këto, që pas këtij bashkëpunimi dhe suksesi në bashkëpunim, qëndron dhe kontributi i Prefektit Rizzi, i cili ka qenë në gjendje të mbështesë dhe të lehtësojë bashkëpunim jo vetëm në këtë nivelin e madh midis dy shteteve, por edhe në gjëra të vogla me simbolikë të madhe, siç ishte rasti i operacionit për shpëtimin e një qytetari, një shtetasi, një fëmijë shqiptar nga Siria, për të cilin gjej rastin ta falënderoj edhe publikisht dhe personalisht, sepse nuk kam pasur mundësinë ta takoj, pra me rastin e Alvin Berishës. Është ky rast i vogël, i cili na tregon dhe sjell para syve një simbolikë të madhe të dobisë që ka bashkëpunimi midis dy vendeve tona. Me këtë rast, edhe njëherë, i nderuar Prefekt Rizzi, i nderuar Ambasador, ju falënderoj shumë për bashkëpunimin dhe shpresoj se ky bashkëpunim vetëm sa do të njohë përshkallëzim pozitiv në të ardhmen.

Për ta konkretizuar dhe simbolizuar këtë mirënjohje të Ministrit të Brendshëm, Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar, kam vendosur t’i akordoj Prefektit Rizzi “Medaljen e Nderit”, që jep Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Fjala e Zv.drejtorit të Policisë Italiane, Vittorio Rizzi:

Z. Ministër i Brendshëm,
Z. Drejtor i Policisë,
Z. Ambasador,
Autoritete, kolegë,

Faleminderit për mikpritjen dhe respektin që na treguat, për të cilën ndihemi të nderuar dhe që dëshmon marrëdhëniet e ngrohta miqësore që lidhin vendet tona. Është një bashkëpunim i hershëm ai që lidh forcat e Policisë Italiane me forcat e Policisë Shqiptare. Është një luftë që zhvillojmë së bashku kundër çdo lloj forme të kriminalitetit. Dua të saktësoj që zyra që unë drejtoj, është një zyrë Task Force (Inter-forze), që përfaqëson të gjitha forcat e Policisë Italiane, Policinë e Shtetit, Armën e Karabinierisë, Guardia di Finanza-n, Policinë e Burgjeve. Në emër të të gjitha forcave të Policisë, dua të shpreh këtë ndjenjë të fortë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi që kemi me Policinë Shqiptare.

Z. Ministër i Brendshëm, jam shumë i nderuar për vlerësimin që më keni bërë dhe për mua është edhe një befasi, sepse kam ardhur në bazë të një ftese për ta bërë edhe më të fortë bashkëpunimin, duke ngritur një tryezë teknike të përbashkët ndërmjet krerëve të policisë. Kështu që ishte një befasi e papritur dhe motiv për një kënaqësi të madhe personale.

Z. Ministër i Brendshëm, më lejoni të shpreh kënaqësinë jo vetëm në emër personal, por edhe në emër të forcave të policisë italiane, sepse në këtë çast unë jam vetëm një përfaqësues, por puna e jashtëzakonshme për “Los Blancos” dhe për të gjitha operacionet e tjera që zhvillojmë përditë, është një punë e forcave të policisë italiane dhe shqiptare.

Ju falënderoj për përmendjen e përpjekjeve të bëra për lirimin e vogëlushit Alvin. Ishte diçka që sistemi i forcave policore italiane e dëshironte fort. Për t’ju ilustruar nivelin e marrëdhënieve me Policinë Shqiptare, dua t’ju zbuloj një të fshehtë të kësaj historie. Përtej çdo forme zyrtare bashkëpunimi, dakordësia për të nisur përpjekjet për lirimin e vogëlushit Alvin, u arrit gjatë një takimi informal me Ardi Veliun, kur ishim në Santiago të Kilit, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit. Mjaftoi ajo bisedë 2-minutëshe për të realizuar një operacion që më pas do të na e kishte zili gjithë bota. Kjo është një dëshmi e prekshme e bashkëpunimit dhe miqësisë që lidh këto dy forca të Policisë. Edhe njëherë, faleminderit, e më besoni, jam sinqerisht i nderuar dhe ju falënderoj për këtë vlerësim!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: