Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i është përgjigjur PD-së për denoncimine saj duke theksuar se dy parcelat e treguara në foto janë shkatërruar prej kohësh.

Sipas Lleshajt fotot janë fiasko dhe PD ka për qëllim të dezinformojë publikun. Për më tepër ministri thekson se Policia nuk shpërqëndrohet nga tymnajat dhe as krahasohet me trashëgimin e PD, të cilët e konsideron si themeluese të kryeqytetit europian të kanabisit, Lazaratit.

 

STATUSI NGA SANDER LLESHAJ

Kur Partia Demokratike flet për kanabisin, përkufizimi i hipokrizisë bëhet vetë PD.

Themeluesit krenarë dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të kryeqytetit europian të kanabisit, Lazaratit, e kanë humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo në këtë vend për këtë temë, por jo vetëm për këtë!

Dy fotot e publikuara sot nga PD janë jo vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e verteta, po dizinformimi i publikut!

Policia e Shtetit ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat në fotot e lodhura të PD, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin.

Lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë.

Sigurisht që ende ka e do ketë kokëshkretë që përpiqen të vijojnë veprimtarinë kriminale. Por shanset e suksesit për ta tanimë janë shumë afër zeros.

Angazhimi frontal i PSH dhe institucioneve të tjera shtetërore e kanë bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme.

Në vitin 2019 në bregdetin italian u sekuestrua sasia më e ulët historike e kanabisit.

Të gjithë treguesit e nivelit të sigurisë në vend dhe ata të rezultateve në luftën kundër krimit, përfshirë kanabisin, janë në nivelet më të mira historike. Asgjë nuk mund të krahasohet me kohën kur vendin e qeveriste lazaratopatia!

Krahasimi i këtyre treguesve me kohën e qeverisjes së PD prodhon diferenca aq të mëdha, sa që vetë krahasimi i ngjan një abuzimi. Në fushën e sigurisë, mund të jesh më mirë nga koha edhe sikur të mos bësh asgjë. Ndaj ne as nuk krahasohemi me trashgiminë e PD dhe as nuk shpërqëndrohemi nga tymnajat e saj dezinformuese.

Lufta për çrrënjosjen përfundimtare të kanabisit vazhdon me intensitet maksimal dhe qytetarët ftohen të kontribuojnë me informacion, pasi kështu secili ndihmon për një Shqipëri më të sigurt.

Ndërkohë, PSH mund ta ndihmojë PD me ndonjë foto tjetër nga operacionet e saj kundër kanabisit, nëse kjo gjë ka vërtet ndonjë vlerë terapike për të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb