Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, komentoi fitoren e Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, duke thënë në emisionin “Real Story”, në News24, se ajo nuk është një parti e re, pasi ka vite në skenën politike.

Për ish-ministri Lleshaj, Vetëvendosja nuk do të ketë energji të funksionojë edhe në Shqipëri, pasi do t’i duhet të përmbushë premtimet e dhëna në Kosovë.

“Nuk shoh befasi te Vetëvendosja, as në Kosovë, se në Shqipëri jo e jo. Vetëvendosja nuk është parti e re, nuk është prurje e çastit, ka nisur prej vitesh. Edhe në zgjedhjet e 2019 ishte parti e parë, por ky ishte kuanti i fundit që mori për mirë. Mënyra se si u hoq ishte shumë teknike dhe jo politike. Këto janë faktorë që i dhanë këtë kuantin e ri pozitiv. Krahasuar me Shqipërinë, janë dy realitete aspak të ngjashme. Kosova ka Gjykatën Speciale, që ne nuk e kemi. Sa i përket Vetëvendosjes në Shqipëri, do të thoja që është jo realist. Kanë shumë punë për të bërë në Kosovë ata, dhe nuk besoj që të kenë energji të funksionojnë edhe në Shqipëri, sepse do duhet të merren me dy sfida të jashtëzakonshme. E para, është premtimi i tyre, dhe e dyta, pritshmëria e publikut. Kështu që ata nuk do të kenë mundësi për të dalë përtej Kosovës. Sigurisht që mund të gjejmë ngjashmëri, por ka diferenca të jashtëzakonshme mes dy realiteteve”, tha Lleshaj.

Duke u ndalur te dallimi mes politikës në të dyja vendet, ndryshe nga ish-ministri Lleshaj, i cili u shpreh se ka diferenca të jashtëzakonshme, politologu Roland Lami tha se në të vërtetë ka shumë ngjashmëri.

“Bie dakord që Kosova mund të ndryshojë te ne, por ne kemi shumë elementë që ngjajmë me të. Së pari, shkalla e korrupsionit është thuajse e njëjtë, shkalla e zhgënjimit është thuajse e ngjashme, roli i faktorit ndërkombëtar është pothuajse i ngjashëm. Por, ajo që nuk ngjet te ne është mënyra si reagon qytetari këtu, dhe si atje”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb