Analisti Agron Gjekmarkaj ka krikuar ministrin e brendshëm, Sandër Lleshaj për deklaratën vlerësuese ndaj Gjovalin Lokajt, drejtori i departamentit të sigurisë publike në Polici që rezultoi ish-sigurims.

I ftuar në rubrikën ”Opinion” në News24, Gjekmarkaj thekson se në rast se Lokaj është vërtet ish-sigurims atëhere është një provokim i madh pasi sidomos në Mirditë, vendi nga vjen ministri Lleshaj kjo organizatë kriminale siç e quan analisti, ka shkaktuar tragjedi në komunizëm.

Më tej analisti, thotë se Lleshaj duke vlerësuar Lokajn ka probleme me logjikën ose demokracinë. Gjekmarkaj shton se tashmë ministri ka për detyrë të thotë nëse është apo jo e vërtetë që Gjovalin Lokaj, drejtues në Policinë e Shtetit ka qenë apo jo  ish-sigurims.

”Shiko, sot kur lexova këtë lajm realisht nuk e besova. Deklarimet e tilla ministri i brendshëm ka probleme ose me logjikën ose me demokracinë. Nuk e di nëse zotërinjtë që janë akuzuar, janë agjentë të ish- Sigurimit. E di dhe një fëmijë që ka qenë një organizatë terroriste, që sidomos në zonën nga vjen ministri, Mirditë ka bërë tragjedi. E dim që këta drejtues zgjidhen nga partia fatkeqësisht, tash edhe 30 vjet. Por të paktën të kenë dekorin që këta persona që drejtojnë Policinë  e Shtetit mos kenë qenë agjentë Sigurimi se është provokacion i madh. Është provokacion për viktimat që ka shkaktuar organizata kriminale.  Edhe për logjikën njerëzore. Për çdo qenie njerëzore. Në këtë kontekst ministri ka probleme me demokracinë. Arrogancë edhe provokim. Thotë që s’i përgjigjet akuzave të opozitës. E ka për detyrë të thotë nëse është apo jo e vërtetë.  Dhe jo të thotë përgjegjësia është e imja por nuk mbaj përgjegjësi. Si mundet të ngresh në piedestal ikona të Shqipërisë, që kanë qenë viktima të ish- Sigurimit si Camaj, dhe nga ana tjetër agjentët bëhen drejtuesë.”- tha Gjekmarkaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb