TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë sot në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve të Europës Juglindore “South East Europe Medi Forum” nga ku nuk i ka shpëtuar dot interesit të gazetarëve për çështjen “Lleshaj”.

I pyetur nëse do dekretohet si ministër Sandër Lleshaj i propozuar nga kryeministri Edi Rama dy herë, Kreu i Shtetit tha se nuk do të përfshihet në debate dhe se në ditët e ardhshme do ketë përgjigje institucionale, raporton “BalkanWeb”.

“E di shumë mirë si funksionon procedura e emërimit të ministrit. Kam qenë kryeministër dhe kryetar Kuvendi dhe e di si funksionon. Në ditët e ardhshme do merrni përgjigje institucionale e korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate”, deklaroi Presidenti Meta.

Ndërkohë që afati kushtetues që Presidenti të shprehetme dekret për propozimin e kryeministrit, skadon nesër. Më 9 nëntor kryeministri Edi Rama e çoi sërish emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër të Brendshëm.

Ai deklaroi se bashkëngjitur kërkesës do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Nga ana tjetër Presidenti Meta i dërgoi një letër Ministrisë së Mbrojtjes më 9 nëntor ku nëpërmjet 14 pyetjeve i kërkonte informacion për sandër Lleshin dhe statusin e tij në Forcat e Armatosura.

Në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thoshte se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese pasi është ushtarak aktiv. Por më 12 nëntor shefi i qeverisë i përgjigjej pyetjeve të Metës me një shkresë të gjeneral Sandër Lleshit për ta çdekretuar nga grada e tij, në mënyrë që të ishte brenda normave kushtetuese për Ministër të Brendshëm..

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb