Ministri i Brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj priti sot ministrin e Punëve të Brendshme të Suedisë, Mikael Damberg dhe ministren e Punëve të Jashtme Ann Linde, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Të dyja palët i vlerësuan marrëdhëniet si të shkëlqyera.

Lleshaj i njohu ministrat Damberg dhe Linde, me disa tregues dhe rezultate të luftës kundër krimit të organizuar dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare për të goditur grupet kriminale, me filozofinë e gjurmimit të parasë. Ai theksoi se në funksion të kësaj lufte është ngritur dhe po funksionon Operacioni Forca e Ligjit.

Ministrat e kabinetit suedez konfirmuan mbështetjen e fortë të vendit të tyre në procesin integrues të Shqipërisë, drejt Bashkimit Europian. Duke u ndalur në Raportin e fundit të Komisionit Europian publikuar 24 orë më parë, ministrja e Jashtme, Linde shprehu se Shqipëria ka marrë kredite të larta për reformat e ndërmarra.

Në fushën e sigurisë, ministri i Punëve të Brendshme të Suedisë theksoi nevojën për ta thelluar bashkëpunimin. Ai tha se vetë qeveria suedeze po investon shumë kohët e fundit për sigurinë e brendshme, duke rritur kapacitetet, teknologjinë dhe numrin e punonjësve të Policisë.

Lleshaj kërkoi mbështetjen e palës suedeze për rritjen shkëmbimit të informacionit policor dhe ndërtimin e mundësive për rritjen e kapaciteteve tona policore, përmes trajnimit apo shkollimit të oficerëve të Policisë së Shtetit në Suedi.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb