SHKODËR

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar prefektin e ri të Shkodrës Valdrin Pjetri ku ka folur dhe për situatën e sigurisë. Lleshaj tha se Shkodra ka marrë goditje të forta nga krimi.
Çesk Millja deri tani Prefekt i Qarkut të Shkodrës, lirohet nga kjo detyrë, për t’u emëruar në një detyrë tjetër.

“Unë besoj që momenti është i rëndësishëm, qytetarët e Shkodrës presin nga prefekti i ri, shumë. Së pari presin në drejtim të një angazhimi më të madh, dhe të një profesionalizmi dhe një përkushtimi më të madh të të gjithë degëve territoriale, të cilat janë këtu për të ofruar shërbimet e qeverisë qendrore në nivel qarku, qofshin ato që kanë të bëjnë me shëndetin publik, me arsimin, me sigurinë dhe fusha të tjera të rëndësishme të përgjegjësisë së Prefektit. Po ashtu me rëndësi të madhe mbetet koordinimi me pushtetin vendor.
Qarku i Shkodrës është një qark i madh, ka disa bashki të mëdha dhe koordinimi me këto bashki është një sfidë e rëndësishme të cilën besoj prefekti i ri do ta plotësojë me qetësi dhe përkushtim.
Është një përgjegjësi e madhe fakti që jemi në një vit zgjedhor, në vitin e zgjedhjeve të reja vendore dhe institucioni i Prefektit ka përgjegjësi të mëdha për të kryer në këtë fushë dhe besoj që Prefekti i ri do t’i plotësojë më së miri ato.
Ndërkohë që po ashtu, me rëndësi të madhe do të mbetet çështja e menaxhimit të flukseve të reja turistike. Dihet që vendi tani përballet me sezonin e ri turistik, i cili besojmë që do të jetë po aq i rëndësishëm, po aq i suksesshëm sa ishte dhe një vit më parë dhe më shumë.
Sigurisht që kryerja ose menaxhimi i një sezoni turistik të suksesshëm kërkon edhe angazhimin e të gjithë strukturave qoftë ato të pushtetit vendor dhe pushtetit qendror”, tha Lleshaj.

Ai theksoi se jemi të gjithë të informuar që niveli i sigurisë në qarkun e Shkodrës është sfiduar disa herë gjatë periudhës, pra gjatë viteve të shkuara. “Kemi patur goditje të forta, të rënda në drejtim të sigurisë publike të cilat janë produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite, i cili ka arritur të lëshojë rrënjë për fat të keq në qarkun e Shkodrës, por veçanërisht në qytetin e Shkodrës, paradoksalisht në qytetin e Shkodrës, i cili në fakt njihet për kryeqytetarinë e Shqipërisë për vlera të mëdha.
Një qark dhe një qytet që i ka dhënë Shqipërisë një pjesë të madhe të vlerave të saj në të gjitha fushat, në histori, në art, në kulturë, në sport edhe në shumë e shumë sektorë të tjerë. Pra ky qytet që i ka dhënë Shqipërisë vërtet pjesë të madhe të vlerave, për fat të keq edhe është goditur nga krimi i akumuluar këtu për disa dekada.
Me gjithë sukseset e mëdha që janë arritur dhe goditjet e mëdha që i janë dhënë krimit, ende mbetet një sfidë e madhe dhe besoj që dhe Drejtori i ri i Policisë, pra drejtori i ri i Drejtorisë vendore të policisë, bashkë me stafin e tij aktual dhe me përforcimet e reja që do të marrë pa asnjë kursim dhe pa asnjë hezitim nga Ministria e Brendshme, besoj që do të jetë në gjendje që të arrijë ta thellojë punën e bërë deri tani, për të garantuar që siguria në Qarkun e Shkodrës do të jetë në nivelin që meriton kultura dhe qytetaria e këtij qarku”, theksoi ministri i Brendshëm.

Ministri i Brendshëm iu bëri thirrje qytetarëve për të bashkëpunuar me forcat e rendit.

“Në të njëjtën kohë gjej rastin që dhe t’i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Shkodrës që të bëhen palë, të bëhen pjesë me policinë e tyre përballë krimit dhe përballë të gjithë atyre që e cenojnë sigurinë, qetësinë dhe jetën normale të qytetarëve të këtij qarku dhe shpresoj dhe besoj që prefekti i ri në krye të punëve në prefekturën e qarkut duke koordinuar të gjithë degët vendore, duke pasur bashkëpunimin e drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore dhe drejtuesit e bashkive, besoj se do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Shkodrës, për të përmirësuar sidomos nivelin e shërbimeve dhe për të arritur atë që të gjithë synojnë dhe shpresojnë: një Shkodër dinjitoze të qetë, të sigurt, të zhvilluar dhe në krye të të gjitha punëve dhe arritjeve të Shqipërisë në tërësi”, tha Lleshaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: