TIRANË

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur në interpelenacën e kërkuar nga deputetët e opozitës parlamentare për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe ngjarjet e 17 majit.

Lleshaj ka shpjeguar para deputetëve nocionin dhunë sipas ligjit për policinë dhe theksoi se policia u detyrua me forcë dhe u pengua me forcë për të ushtruar detyrën e saj.

Duke iu drejtuar deputetes Fatjona Dhimitri ai tha se nuk ka për t’i marrë kurrë vesh emrat e policëve sepse nuk është tagri i saj.

“Dhuna është forcë e ushtruar. Dhe në ligjin për policinë, në këto terma shkohet. Këto janë terma që shpjegojnë njëra-tjetrën. Dhuna është ana kinetike e forcës. Policia u detyrua me forcë dhe u pengua me forcë për të ushtruar detyrën e saj. Ashtu si nga persona me forcë u detyrua të thyente kordonin.
Policia ka mbetur tek shkalla e parë e përcaktuar nga ligji, tek shtrëngimi fizik. Në funksion ose gjatë kësaj përplasjeje janë kryer disa shoqërime, mbi 60 të shoqëruar. Gjykata e Tiranës veprimin e policisë për arrestimin e 8 personave e ka konsideruar të ligjshëm, ndonëse ju e quani barbare.
Barbaria është ajo gjendje kur njerëzit nuk e njohin ligjin. Kur të gjithë luftojnë kundër të gjithëve dhe ligji nuk ekzistojnë. Gjendja e kulturuar është kur njerëzit heqin dorë nga vetëgjyqësia dhe ua kalojnë gjykatave.
Nuk do t’i merrni kurrë emrat e punonjësve të policisë sepse nuk keni tagër për të hetuar. E vetmja që mund t’i ketë është prokuroria. Sa i përket çështjes së uniformës, policia në datën e operacionit, një për lirimin e objektit dhe një për menaxhimin e protestës, dihet nga praktika që në operacionin për menaxhimin e protestave ka qasje të tjera. Në qoftë se në operacione të tjera instruktohet për t’u pajisur me gjithçka, në menaxhimin e protestave instruktohen për qasje tjetër, që nga mospajisja me armë.
Nuk do të shihni punonjës policie që do të kenë numra identiteti sepse janë të identifikuar nga drejtuesit e tyre. Të gjitha barrën për dështimin e operacioni e ka drejtuesit i tyre dhe emrat e tyre i dini. Në qoftë se doni përgjegjësi politike keni emrin tim. Nuk keni pse të dini emrin e Nokës apo Islamit. Policia e Shtetit nuk njeh hierarki, nuk njeh askënd tjetër përveç ligjit. Atë ditë kanë qenë dy gazetarë që nuk kanë qenë në detyrë”, deklaroi Lleshaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb