Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë në një prononcim për Televizionin publik se kishte patur ndërmend t’i kërkonte falje gazetarit të dhunuar (autorit të këtyre radhëve), se ia kishte kërkuar një mik i çmuar, por u tërhoq. Për këtë kishte shërbyer një valë fyerjesh. Domethënë fyerje të miat për të.

 

Harron ministri se fyerjen e parë e ka gatuar ai, me një status në Facebook, ku në vend që të deklamonte shtetarin, shpallte parehatinë me të, dhe dëshirën e fshehtë për të qenë njëri prej nesh, një publicist, komentator, apo një zë i debatit publik. Po të lexoni reagimin, ndoshta më jepni të drejtë. Kur pashë se z. Lleshaj e hoqi xhaketën dhe gradën politike të ministrit, dhe u fut në territorin ‘tonë’, duke i shërbyer publikut jo një qëndrim zyrtari, por një sherr akut me mua, Agron Gjekmarkajn e të tjerë, unë nuk mund dhe nuk kisha pse ta trajtoja si zyrtarin e lartë të shtetit. Në territorin ‘tonë’ e kam shumë më të lehtë të operoj, duke qenë se nuk më pengon asnjë titull apo kufizim zyre. Jam gazetar, komentator i politikës dhe një zë publik. Aq më mirë nëse një ‘kundërshtar’ hedh mjetet e fushës së vet dhe përdor ato të profesionit tim.

 

Kjo së pari dhe, së dyti, unë isha ende i ngrohtë me urrejtjen e keqatrajtimit policor, kur kam folur në media dhe kam mbajtur një fjalim të shkurtër, i ftuar nga Aleanca për Teatrin në protestën e së hënës. Aty kam thënë se i kam falur policët (o Zot, a e dinë çfarë bëjnë?), por jo ministrin dhe kryeministrin (e dinë shumë mirë çfarë bëjnë, o Zot!).

Po, aty kam përdorur edhe një ‘lojë’ me mbiemrin e ministrit, duke e shndërruar në Leshi. Unë nuk jam asnjëherë krenar për shkeljet e mia etike, dhe më duhet megjithatë, t’i marr përsipër si ‘dëm anësor’ në aktivitetin publik. Të jetoj me to derikur të më peshojnë aq, sa të më shtyjnë drejt pendesës apo faljes.

Për t’iu kthyer deklaratës së ministrit, ai nuk e ka patur ndërmend faljen, nuk e ka shtyrë drejt saj kërkesa e ‘mikut të çmuar’, që më ka shkruar mua një mesazh në këmbë të ministrit. Ai, duke parë, siç e thotë vetë në prononcim, se ‘kjo historia e z. Lela ka marrë përmasë relativisht të madhe’, po mundohet të ndërtojë anti-historinë ose variantin e vet, me shpresën se do të ngrejë peshë më shumë se përmasa publike e ngjarjes ku u përfshiva pa dashjen time.

I vetmi faj që ndjen ministri, është se historia e atij, që ai dhe policët e tij panë dhe shohin si kundërshtar politik, ka fituar një gravitet të padurueshëm për ta. Në stilin kryesor të qeverisë ku ai bën pjesë, duhet ndërtuar një kundër-ligjërim, i cili ngre ministrin dhe policinë dhe ul gazetarin dhe profilin e tij publik.

Pyetjes së tij, se çfarë bëja unë aty, dua t’i përgjigjem me një storje të kohës së Mbretit Zog. Personazhet e së cilës janë dy kaçakë nga Shqipëria e Epërme dhe një tregtar krutan. Këtij të fundit i vjen një ngarkesë kripe me vapor në Durrës dhe, nga frika e plaçkitjes gjatë rrugës nga porti në Krujë, pajton dy kaçakët që t’i ruajnë mallin. Shko e shko, banditët bashkë me karvanin, derikur i afrohen Krujës dhe ndalojnë për një pushim në kodrat me ullinj poshtë qytetit.

A ta bëj një pyetje, or ti-i thotë i pari të dytit. Prej kujt po e ruajm’ kët’ ngarkes’?

Prej vedit-ia kthen tjetri i habitur me pyetjen. Me faktin se si ‘kolegu’ i tij nuk e kish kuptuar se krutani dinak e dinte se do i kushtonte më lirë të pajtonte banditët që ‘patrullonin’ zonën e tij për t’i ruajtur ngarkesën, se sa humbja e saj në duart e të njëjtëve.

Ky episod më ka shërbyer këto ditë për t’iu përgjigjur pyetjes se, prej kujt po e mbronte policia Teatrin. Përgjigja është aty, po aq qartë sa ishte për ‘banditin numër 2’ në historinë e vjetër: prej vedit. Vetëm ministri dhe kryeministri, policët jo e jo, dhe ne nuk presim shumë prej tyre në fushë të të kuptuarit, nuk e kanë shoshitur ende faktin se shteti kishte dalë në 4.30 të mëngjesit të së dielës për ta mbrojtur Teatrin dhe publikun protestues prej vedit.

Shumë ma kanë bërë pyetjen këto ditë, përfshirë të huaj, pse ishte policia kaq e tensionuar, kaq e zellshme, kaq në kapërcim të gërmës dhe frymës së ligjit që përfaqëson. Mendoj se e kam një shpjegim: i vinte nga hutimi i madh, i cili rridhte nga intuita jo inteligjenca, se ata kishin dalë aty jo si polici, por si milici. Një përzierje e detashmenteve para-ushtarake me mbështetje shtetërore, kundër një ndërtese të atdheut dhe popullit të këtij atdheu.

Kjo i bën ata me ndërgjegje ose nën-ndërgjegje, dhe ndoshta për këtë i fala publikisht policët. Por, a do t’i falë dot i riu Maltin Grabovaj, të cilit nga dhuna e goditjeve që mori i shpërthyen daullen (timpanin) e veshit? A mund ta dëgjojë ai me, një shqisë të dëmtuar, thirrjen time për falje? Po faljen e munguar të ministrit? A mund t’i falë Fatmira Nikolli, gazetarja e News 24 e cila ishte brenda në Teatër kur erdhën milicët e Lleshajt, që me forcë i morën çantën ku kishte kuletën, e gjithë çka një vajzë mban në të? Edhe në i faltë, Fatmira nuk do mundet kurrë ta shohë më një uniformë me respektin që duhej të meritonte dhe të fitonte. Sepse, siç e ka bërë publike në media, kur ia kthyen çantën, pas ndërhyrjeve të një kolegeje me lidhje në polici, ajo pa se i kishin marrë të gjitha të hollat. Policët, që supozohet të kapin hajdutët e xhepave, ishin kthyer vetë në braca.

A do ta falë ministrin, Klodiana Lala, një gazetare trime e kronikës së zezë, të cilën pas një debati në një emision politik të mbrëmjes, Lleshaj e ka kërcënuar “më e pakta gjë që do të të bëj bëj është bllokimi i pasaportës?” Ajo mund të falë njeriun, por jo ministrin e shtetit.

Edhe pse miku ynë i përbashkët, që ndërmjetësonte një falje, më dukej se e kërkonte prej Sandër Lleshit, njeriut, këtë ndjesë. Unë, duke ju përulur me respekt profesorit dhe prelatit katolik, e kisha dashur prej ministrit të shtetit. Rëndësinë që ka falja për një prift katolik, nuk e ka për mua, afërmendsh. E kuptoj që njeriu i Zotit kërkon njeriun, si te ministri edhe te gazetari: këtë kërkon të shpëtojë te të dy. Këtë radhë mendonte se duhej shpëtuar ministri, por ai zgjodhi, jo dhomën e rrëfimit, por të linçimit.

Sepse drejt saj e shtyn vetja. Ai individ që rrëfen Agron Gjekmarkaj, që e ka njohur për mik ministrin, i cili sa herë ndeshej me eprorin e tij, ish-ministrin Mediu i thoshte: ejjj, jam i djathtë unë! Ky vetëpërcaktim i Lleshajt ka marrë formën e një barcalete tashmë: ish-ministrat Mediu, Imami dhe Oketa, thonë se kanë filluar të zihen duke numëruar herët se kujt i vinte më shpesh në zyrë ish-gjenerali, për t’i dëshmuar djathtësinë e spaletave dhe të shpirtit ideologjik.

Zelli i ministrit, që ka kapur edhe vartësit e tij dhe policët e thjeshtë, dhe që dukej hapur në aksionin e së dielës, ka të bëjë pikërisht me atë parehati: dikujt të ‘së djathtës’, i duhet ta demonstrojë dyfish përkatësinë në krahun tjetër, ku ai shihet si mish i huaj. Vetpërcaktimi, identiteti i munguar, sidomos në moshë të madhe, është një torturë e pakrahasueshme.

Duke e ditur këtë, më vjen keq për njeriun-Sandër, por jo ministrin Lleshaj. Të mbërthyer në rrjetën e këtyre pasigurive identitare (apo karakteriale), në një drekë, kur ra fjala te mbrojtja publike që i bënte një prej miqve të pranishëm, edhe pse ishte i ‘anës tjetër’, ministri ngriti kokën nga pjata duke u mbllaçitur dhe kuturisi disa fjalë që i kish thënë i ati.

“More Sandër, mirë që ky X po të mbron, po a mund ta kesh mik të vërtetë dikë që mbron ty dhe shan Ramën?!”. Nënteksti i qartë: nuk ta jap mirënjohjen e mbrojtjes që më bën, sepse ti mund të më rrezikosh marrdhënien me shefin. Dikush që më shan shefin nuk mund të jetë miku im, as kur më mbron mua!

Në fund, duke mos e marrë kurrë, jo vetëm faljen, por as të pranuarit e faktit se ndaj meje dhe të tjerëve është ushtruar dhunë, nga ministri apo shefi i tij, dua të kujtoj disa njerëz. Arben Ndokën, Armando Prengën, Mark Frrokun dhe Elvis Rroshin të cilët, në shumë shkrime dhe në shumë dalje i kam përmendur si pjesë e një problemi, i cili mbetet ende dhe prej të cilit nuk tërhiqem, kriminalizimi i politikës. Në kaq vite nuk kam marrë asnjë mesazh, asnjë porosi, asnjë fjalë, asnjë kërcënim prej tyre. Në asnjë rast nuk e kanë përdorur fuqinë e tyre financiare dhe as lidhjet për të më kërcënuar apo frikësuar. Nuk e di a e kanë bërë me të tjerë, por nuk kam dëgjuar.

Nuk mendoj se janë ndalur para frikës apo kujdesit, por mendoj, para një përmase burrërie që personazhe të tillë, i pëlqejmë apo jo, bartin në vetvete. Ata nuk i kanë parë gazetarët si armiq dhe ndoshta kanë arritur të dallojnë faktin se ata vetë, kanë qenë armiq të vetes. Siç jemi të gjithë ndonjëherë.

Dhe, ja ku jemi në fund të historisë. Edi Rama mund ta kriminalizojë shtetin dhe të dhunojë gazetarët e artistët edhe me intelektualë si Sandër Lleshi. I hedhur në agorën e publikes, si një plesht nga sqetulla e Kadaresë, apo nga ‘Murtaja’ e Kamysë, ai u fut në sferën publike nën hutimin e ethshëm të katër dëshirave. Donte të ishte: gjeneral; i përmendur edhe si autor i një libërthi për strategun më të madh shqiptar, Skënderbeun; i djathtë (shtysë që ja jepte feja dhe ushtria), dhe politikan (një mundësi për t’i mbytur të gjitha gjysmat e mëparshme).

Kaq shumë gjëra, dhe Dom Marian Paloka, prifti që mori barrën e fajit për mikun, ende po kërkon njeriun te ministri. Eshtë detyra e tij të shpëtojë shpirtra. E imja të shkruaj për ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb