TIRANE

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi sot një vizitë në Gardën e Republikës, ku pati një takim me drejtues të saj dhe ndoqi disa demonstrime nga forcat speciale. Në fjalën e tij Lleshaj kërkoi fuqizimin e strukturës inteligjente në Gardën e Republikës, përmes shkëmbimit të informacionit me struktura të tjera si dhe reduktim të shërbime fizike, duke përdorur gjerësisht teknologjinë, por pa cenuar madje duke e shtuar sigurinë.

“Duhet që Garda të funksionojë vërtet si një familje e madhe dhe familja nuk ka anëtarë vetëm punonjësit të Gardës, por janë punonjësit e Gardës dhe familjet e tyre.

Një çështje tjetër e rëndësishme është trajnimi. Trajnimi është ‘a’-ja dhe ‘o’-ja e çdo profesioni, e çdo trupe profesioniste, por sidomos të Gardës. E aq më tepër e Gardës ku shpeshherë rutina rrezikon shumë motivimin dhe vetë profesionalizmin e saj.”- u shpreh ndër të tjera Lleshaj.

Fjala e ministrit Lleshaj:

Garda ka një histori të gjatë dhe ka një arkiv të pasur me arritje në funksion të ruajtjes së institucioneve kushtetuese të vendit. Të gjithë punonjësit e saj që kanë punuar ose ata që punojnë meritojnë respekt, vlerësim të Qeverisë Shqiptare dhe të vetë qytetarëve shqiptarë për shërbimin e kryer në funksion të Republikës. Ndoshta puna e Gardës, natyra e punës është e tillë që Garda nuk duket shumë, nuk bie shumë në sy. Kështu duhet të jetë. Ndërkohë që rezultati i punës së saj bie në sy për sa kohë që institucionet kushtetuese të vendit vazhdojnë ta kryejnë me qetësi, me siguri, detyrën dhe funksionin e tyre kushtetues.

Mbetet përherë e rëndësishme që Gardës t’i kushtojmë vëmendje, vëmendjen e merituar, ndonëse vendi ka shumë prioritete, ka shumë halle, ka shumë shqetësime, por gjithsesi vëmendja ndaj Gardës së Republikës ka qenë dhe do të mbetet e pacenuar, për arsye se funksionet dhe misioni i saj janë të një rëndësie të veçantë, që kërkon vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme. Është një detyrë që kërkon përkushtim të madh, kërkon profesionalizëm të lartë, kërkon integritet të lartë. Të gjitha këto kritere e kanë karakterizuar punonjësin e Gardës së Republikës, dhe puna dhe përpjekja jonë duhet të vazhdojë që këto tipare të gardistit të perfeksionohen, të zhvillohen më tej.

Duke mbetur tek punonjësi i Gardës, i cili është themeli, është guri mbi të cilin ndërtohet ky institucion, është “tulla” bazë mbi të cilën ngrihet gjithë ky institucion, duhet që e gjithë vëmendja të shkojë tek punonjësi. Prej atij duhet të vazhdojmë të ngjitemi lart. Pa zgjidhur mirë problematikën që lidhet me punonjësin e Gardës si individ në kuptimin e rekrutimit cilësor, trajnimit e kualifikimit po ashtu cilësor dhe intensiv, promovimit në karrierë bazuar në meritë dhe aspektet e tjera, ne nuk mund të ngremë Gardën, pa e ngritur, pa e konsoliduar punonjësin e saj; të programohet përherë individi! Duhet që Garda të funksionojë vërtet si një familje e madhe dhe familja nuk ka anëtarë vetëm punonjësit të Gardës, por janë punonjësit e Gardës dhe familjet e tyre.

Një çështje tjetër e rëndësishme është trajnimi. Trajnimi është ‘a’-ja dhe ‘o’-ja e çdo profesioni, e çdo trupe profesioniste, por sidomos të Gardës. E aq më tepër e Gardës ku shpeshherë rutina rrezikon shumë motivimin dhe vetë profesionalizmin e saj.

Duhet që karriera të shndërrohet në një instrument motivimi, jo vetëm e atyre që gradohen, por edhe atyre që s’e marrin gradën. Sepse është e rëndësishme, në qoftë se gradën e marrin ata që duhet, dijeni që motivohen edhe ata që nuk gradohen, kur shohin që motivohen dhe grada jepet për performancë, të jepet për meritë, jepet për ndershmëri, krijohet bindje e qartë që gradën e ke në dorë ti! Nuk e kam në dorë unë! S’e ka në dorë as komandanti i Gardës, s’e ka në dorë as drejtori, as shefi, as komandanti tjetër, e ke në dorë vetë! Duhet të krijojmë një klimë që t’u themi: – gjatë kohës që punoni, mblidhni kredite, bëni kurse, bëni trajnime, institucionale por edhe privatisht. Ndiqni kurse të gjuhëve të huaja, bëni sport, bëni diploma, studioni part-time, merrni pjesë në trajnime online etj. Është njëri aspekt, formimi dhe kualifikimi. Pjesa tjetër është: – performoni mirë, bëni detyrën mirë, mos krijoni penalitete që ju dëmtojnë. Nga kombinimi i këtyre të dyjave bashkë, kualifikimi dhe performanca në punë, ju automatikisht do të arrini të promovoheni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb