BURREL

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka realizuar takime në Mat dhe Klos me kryebashkiakë të Matit e Klosti, deputetë të zonës, drejtues vendorë, Prefektin e Dibrës dhe drejtuesë policie.

Lleshaj tha se tashmë Policia si prioritet ka mbrojtjen e pasurive natyrore dhe do të luftojë për të ndaluar ata që nuk e kanë kuptuar apo ata që s’duan të kuptojnë mbi krimin mjedisor.

Sa i përket kanabisit, Lleshaj tha se Shqipëria nuk ka një situatë shqetësuese, por angazhimi nuk ndalet për ta luftuar deri në fund fenomenin.

 

NJOFTIMI NGA MINISTRIA

Burrel – Takim me kryetarët e bashkive Mat e Klos, deputeten e zonës, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin e Qarkut Dibër, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, ndërtimet pa leje, masat kundër dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Fjala hapëse:

Mirëdita të gjithëve!
Faleminderit të gjithëve që jeni mbledhur, është kënaqësi që më jepet mundësia dhe në këtë ditë kaq të bukur për të ardhur në Mat. Po the Mat ke thënë shumë gjëra, në kuptimin e një krahine të madhe të lashtë me histori, me kulturë, me traditë.

Kur kalon në këtë luginë përjeton emocione të veçanta, sepse është ndër luginat më të bukura në Shqipëri e më gjerë.

Sot në fakt ne kemi ardhur në kuadër të një programi që po zhvillojmë në të gjithë vendin, për të diskutuar disa çështje që kanë rëndësi të madhe. Prandaj i organizojmë takimet kështu, edhe me pjesëmarrje të autoriteteve, por edhe të publikut. Për të diskutuar disa çështje që i përmendi edhe Prefekti edhe Kryetari i Bashkisë, me çështje që kanë të bëjnë sigurisht me fushën e rendit dhe të sigurisë publike, dhe të territorit që tashmë një pjesë të përgjegjësive që i ka patur IKMT-ja janë zgjeruar. Tashmë IKMT-ja është atashuar pranë PSH.

Kemi ndryshime të rëndësishme. Ndryshimet ligjore, memorandumet që janë bërë duket që kanë ndikuar për mirë dhe kanë qenë me vlerë, duke para vetëm nga gjelbërimi dhe nga hovi që kanë marrë pyjet.

I është dhënë një frymëmarrje natyrës, florës, faunës, territorit në përgjithësi duke ja rritur shumëfish potencialin për jetë më normale të qytetarëve. Sepse në shkretëtirë nuk jetohet?!

Mbrojtja e këtyre pasurive natyrore me të cilat na ka bekuar Zoti është detyrë e jashtëzakonshme dhe një prioritet i madh. Ne do të angazhohemi fort, IKMT-ja, Policia e Shtetit e kanë tashmë në krye të prioriteteve punën për mbrojtjen e territorit.

Rreziqet që e kërcënojnë, së pari lidhen me papërgjegjshmërinë në shfrytëzim. Ata që shfrytëzojnë, ata që fitojnë nga territori, janë dëmtuesit, mëkatarët, nganjëherë edhe kriminelët më të mëdhenj të tij.

Nuk është përmendur për shumë vite me seriozitetin e duhur fjala “krim mjedisor”. Krimi në mjedis është një krim i parashikuar nga KP, janë rreth 19 nene në KP që e parashikojnë.

Ne jemi të fokusuar që në këtë fushë të orientojmë burime të shumta të policisë dhe të IKMT-së, për të goditur fort të gjithë ata që “presin” degën në të cilën jetojmë ne të gjithë.

IKMT-ja tashmë është e riorganizuar, po përfundon edhe një fazë të dytë të riformatimit të plotë në personel, dhe të gjitha degët territoriale, ose lokale të IKMT-së do të jenë të atashuara pranë DVP-së, ose komisariateve përkatëse. Dhe do të jenë nën drejtimin e përgjegjësinë operacionale të drejtuesve të policisë, me qëllim që të mos të ikim në dy drejtime të ndryshme, por të ecin në një drejtim të dy institucionet. Të godasin me një shpatë që ka dy tehe: një teh është IKMT-ja, e cila godet në mënyrë administrative dhe tehu tjetër është Policia që godet në mënyrë penale.

Kjo bëhet për të gjitha ata që se kanë kuptuar ende, apo nuk duan ta kuptojnë që mjedisi është pasuria jonë e përbashkët dhe nuk mund të lejojmë ta shkatërrojmë njëri apo tjetri për t’u pasuruar në mënyrë të paarsyeshme. Pra për këdo që do të kapet në shkelje do të ketë dy masa të forta: një ndjekje penale dhe një masë administrative të “thekur”, gjoba të forta, të pakundërshtueshme, të panegociueshme nga IKMT-ja.

Një çështje e rëndësishme janë pyjet si një potencial i madh i Matit dhe i Dibrës, dhe vetë çështja e pyjeve mbetet i prioritet i madh. Pastaj është ndotja e ujërave, e lumenjve, pasuri e jashtëzakonshme që nuk mund të shndërrohet në kanale ujërash të zeza. Mbetjet që hedhim në lum na kthehen mbrapsht në tryezë, në perime, në fruta, në ujin e pishëm, ose e gjejmë kur shkojmë atje në Tale, në plazh.

Tjetër çështje e rëndësishme është çështja e mbrojtjes nga shfrytëzimi pa kriter i minierave. Për fat të keq gjatë këtyre tre dekadave kemi arritur që konceptin e minierës ta degradojmë në absurd. Sot kemi me dhjetëra, e dhjetra subjekte të cilat shfrytëzojnë mineral në mënyrë të papërshtatshme.

Jashtë kritereve teknike, jashtë kritereve ekonomike, jashtë kritereve ligjore, jashtë kritereve njerëzore nganjëherë. Mbetet detyrë e madhe e PSH dhe IKMT-së për intensifikim të kontrollit në të gjitha zonat ku shfrytëzohen minerale. Mati dhe Dibra janë edhe ndër zonat më të prekura nga ky fenomen.

Duhet kërkuar që vendet e grumbullimit të mbetjeve që dalin nga minierat të miratuara, dhe të ndërhyet fort në raste se kjo gjë nuk respektohet në konform legjislacionit një fuqi. Nuk mund ta kthejmë një veprimtari ekonomike të dikujt, në një dëm katastrofik për pjesën tjetër. Ka edhe arsye të tjera që duhet patur kujdes: që kanë të bëjnë me kriteret e tjera ligjore, me shëndetin e punëtorëve, me masat mbrojtëse, me sigurinë atje, me administrimin sidomos të lëndëve plasëse e shumë e shumë aspekte të tjera, të cilat janë nën kujdesin e policisë, por e gjithë kjo çështje meriton vëmendje të shtuar.

Një aspekt tjetër i angazhimit të Policisë, autoriteteve vendore dhe gjithë vendit në fakt, lidhet me luftën që duhet të bëjmë kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Nuk ka një përmasë shqetësuese të kanabisit në Shqipëri, pasi falë punës së bërë gjatë këtyre viteve ky fenomen, në thelb, është shkulur. Probemi është që nuk mund të pushojmë këtë angazhim, për sa kohë nuk është krijuar në mënyrë të qendrueshme një traditë pa kanabis.

Përmes këtij angazhimi ne duam të përcjellim mesazhet e duhura, sidomos te të rinjtë e këtij vendi që mos ta konsiderojnë kanabisin si një opcion për jetën e tyre. Fatkeqësisht është krijuar një iluzion se mund ta ndërtosh e përmirësosh jetën mbi kanabisin. Në fakt, duhet thënë që e vetmja gjë që mund t’i bësh jetës përmes kanabisit, është ta shkurtosh atë! Ka ndodhur në fakt. Shumë të rinj, kanë shkurtuar jetën e tyre apo të tjerëve përmes përfshirjes në këtë veprimtari kriminale.

Kemi për fat të keq të rinj në Shqipëri që ende gënjehen dhe besojnë se po të mbjellin kanabis fitojnë më shumë sesa po të mbjellin domate. Kjo mund të funksionojë një apo dy vjet, por harrojnë të shkretët që pastaj 10 vjet do i kalojnë në burg. Është kosto shumë e madhe, jo vetëm për ata, por edhe për shoqërinë, familjen, fëmijët që do t’i lindin atij.

Ky pra është qëllimi, që merremi me çështjen e kanabisit, se duam të sensibilizojmë qytetarët, shkollën, autoritetet që të merren me këtë punë… edhe një rrënjë është tepër!

Ne kemi një Plan Kombëtar, i cili angazhon të gjitha strukturat dhe institucionet e vendit për t’u përfshirë në këtë luftë, qendrore dhe vendore, shkolla, shëndetësia, mjedisi, inspektoratet etj. Polici sigurisht. Puna po vazhdon e po vijohet me intensitet të shtuar sepse janë shtuar edhe kapacitetet, më shumë mjete, drone, helikopterë dhe më shumë kohë se vitin e kaluar, pasi vjet kishim edhe emergjenca të tjera.

Shanset e çdokuj për t’u përfshirë në këtë punë dhe të ketë sukses, praktikisht janë zero. Vitin që shkoi ne kemi pasur një numër të madh personash që janë penalizuar, edhe zyrtarë të policisë, zyrtarë vendorë, zyrtarë të institucioneve të tjera dhe inspektorateve. Lutem që të mos kemi të njëjtën nevojë për të goditur prapë këtë vit.

Një çështje e fundit, është ajo e pyjeve. Përvoja e krijuar është pozitive, por duhet të jemi prapë shumë vigjilentë.

Jemi bërë histori mediash botërore kohët e fundit me disa absurditete lidhur me masakrimin që i bëhet faunës nga disa qytetarë që nuk kuptojnë se çfarë bëjnë… shitet “mish ariu”, historira nga më të çmendurat, të cilat nuk jam në gjendje të them sa janë të vërteta, por di që janë dhënë lajme shumë për to.

I kam përcjellë Drejtorit të Policisë një listë të madhe me artikuj pa fund, në të gjithë botën, sepse për një vend të qytetëruar nuk kuptohet dot se si mund të vritet një kafshë, e cila nuk është kafshë gjuetie, dmth nuk përdoret për ushqim!

Mund të kuptohet të vrasësh një derr të egër, megjithëse tani kemi moratorium, por të vritet një ari, apo shqiponja, janë gjëra shumë të shëmtuara.

Këto histori na dëmtojnë rëndë imazhin, nëse ne tentojmë të bëhemi një adresë turistike për të huajt. Duhet të kuptojmë që kemi përgjegjësi ndaj natyrës dhe kafshëve të egra, pra jemi ne përgjegjës edhe për to.

Edhe diçka për Policinë. Ne kemi policinë më të vogël për frymë në rajon. Siguria rritet në shumë mënyrë por edhe përmes shtimit të numrit të punonjësve të policisë.

Një formë tjetër është përmes bashkëpunimit të qytetarëve me policinë, në mënyrë që të mos shpenzojmë para kur mund të investohen diku tjetër. Pra policia duhet mbështetur përmes informacioneve, dhe mënyrave të tjera të komunikimit. Edhe policia vetë mund të bëjë diçka në këtë drejtim, përmes programit të Policimit në Komunitet.

Policia në një vend demokratik duhet të merret me qytetarët normalë, dhe në qoftë se policia arrin të bëhet bashkë me qytetarët, ajo është e pamposhtur.

Kjo është mënyra për të rritur efektivitetin real të punës së policisë dhe besimin e qytetarëve. Besimi i qytetarëve duhet të fitohet dhe të meritohet, nuk mund të urdhërohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb