SARANDE- Në kuadër të turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi takime me banorë të Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe Finiqit. Në dy bashkitë e para, Gjiknuri shoqërohej edhe nga Ministri për Turizmin dhe Mjedisin Blendi Klosi.

Në Delvinë, Gjiknuri premtoi se brenda vitit do të fillojnë konkretizimin dy vepra publike që njëkohësisht përbëjnë shqetësimet kryesore të këtij komuniteti, rruga Kardhiq-Delvinë dhe ujësjellësi i qytetit.

“Kjo rrugë për dy-tre muaj do të fillojë punimet konkrete dhe për dy vjet Delvina e Saranda do të lidhen me Kardhiqin. Do të dalin shumë më shkurt në rrugën kryesore që të çon drejt Levanit e Tiranës. Pra, Kardhiq-Delvinë një investim i qeverisë shqiptare më i madhi që ka parë ndonjëherë kjo zonë, janë 90 milion euro dhe patjetër kjo rrugë do të sjellë një zhvillim të madh ekonomik për Delvinën. Problemi i dytë shumë i rëndësishëm është ai i ujit. Brenda këtij viti do të fillojë investimi për ujësjellësin e Delvinës. Janë mbi 2 milion euro investim, projekti është përfunduar, po bëhen procedurat dhe brenda këtij viti fillon investimi”, premtoi Gjiknuri.

Ministri Klosi u ndal tek mundësia që ekziston që Delvina të zhvillojë agroturizmin.

“Jemi në një fushatë bashkë me Ministrinë e Bujqësisë për të zhvilluar turizmin edhe jashtë zonave të plazhit. Delvina është rasti ideal ku ne mund të zhvillojmë agroturizmin. I ka të gjitha Delvina për të qenë një vend për të zhvilluar agroturizmin, ka prodhimet bujqësore bio, ka mjedisin e mrekullueshëm, ka afërsinë me plazhin në zonat tona më të forta turistike. Ka mundësi që këtu të organizojmë disa pole ku mund të zhvillohet jeta e qytetit, jeta e komunitetit duke e bërë pjesë të një Shqipërie të zhvilluar”, u shpreh Klosi.

Në takimin e zhvilluar në qytetin e Sarandës, Gjiknuri premtoi zgjerimin e kalatës së portit për të afruar edhe më shumë kroçerat e huaja.

“Saranda ka potenciale turistike dhe ne investojmë aty ku i jepet më shumë ekonomisë shqiptare. Kam komunikuar me shoqëritë e kroçerave për të bërë një projekt shtesë për zgjatjen e kalatës. I kam kërkuar Autoritetit të Portit këtu për të bërë studimin e fizibilitetit të cilin do ta çojmë për financim edhe në Bashkimin Evropian. Një studim për zgjatjen e kalatës, në mënyrë që kroçerat të mos rrinë më në det por të ankorohen siç duhet. Duhet të ketë një numër më të madh dhe ekziston mundësia që nga Prilli në Tetor çdo ditë të ketë të paktën një kroçerë në qytetin e Sarandës”, theksoi Gjiknuri.

Duke mbetur tek sezoni i ardhëm turistik, Ministri Klosi tha se nga 1 Qershori ne nuk do të lejojmë më derdhjen e ujërave të zeza në det.

“E gjithë struktura shtetërore është vënë në lëvizje që kjo çështje të zgjidhet. Ne do të donim që zhurmat sëbashku me bashkinë ti kishim të kontrolluara, muzika të ishte brenda një orari të caktuar dhe bashkia ka përcaktuar zonat ku lejohet dhe ku jo. Do donim të kishim siguri në plazhe, ndarje të qartë se ku lejohet lundrimi dhe ku jo për mjetet e detit”, nënvizoi Klosi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb