Për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, vettingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura. Me një postim në Facebook Gazment Bardhi, shkruan se deri më sot, SPAK është fshehur duke bërë sikur nuk sheh e dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm shqiptarë: pasurimin e paligjshëm të politikanëve në kurriz të interesit të qytetarëve

Sipas tij të gjitha alibitë që përdoren sot për të kundërshtuar propozimin e PD janë përdorur këto 30 vite sa herë që propozohet një iniciativë për të luftuar korrupsionin

Postimi

Llumi i tranzicionit, me Edi Ramën në krye, është shqetësuar shumë nga vettingu i politikanëve, i propozuar nga Partia Demokratike. Vettingun e politikanëve nuk mund të bëjë politika. Vettingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura.

SPAK është organ kushtetues, me mision dhe përgjegjësi kushtetutese, për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Ky mision i është besuar me konsensus, me 140 vota në Parlament. Pra, të drejtën për të kontrolluar politikanë e ka edhe sot, por thjesht fshihet dhe nuk vepron, për shkak se nuk ka një mekanizëm që ia bën të detyrueshëm kontrollin për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim

Deri më sot, SPAK është fshehur duke bërë sikur nuk sheh e dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm shqiptarë: pasurimin e paligjshëm të politikanëve në kurriz të interesit të qytetarëve dhe lidhjen e politikanëve me krimin e organizuar. Nëpërmjet propozimit të PD, SPAK-ut i hiqet çdo mundësi të bëjë sikur nuk sheh dhe dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë qytetarët. Duke i dhënë një mekanizëm të detyrueshëm kontrolli, që mund të shërbejë më pas edhe si një e dhënë për ndëshkimin penal të atyre që zbulohet se kanë kryer një vepër penale gjatë ushtrimit të funksionit publik, SPAK ka detyrimin ligjor që të veprojë ndaj kujtdo.

Të gjitha alibitë që përdoren sot për të kundërshtuar propozimin e PD janë përdorur këto 30 vite sa herë që propozohet një iniciativë për të luftuar korrupsionin, sa herë ndërmerret një reformë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Alibitë përdoren  vetëm për të siguruar një gjë: çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë edhe për 30 vite të tjera. Kjo nuk është në përputhje me interesin e qytetarëve dhe pritshmërinë e tyre.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: