Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri ka angazhuar një kompani amerikane për të komunikuar me “komunitetin politik dhe atë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara”. Angazhimi i kompanisë ‘Stone Strategic Solution (SIII)’ nga ana e Tahirit është raportuar te Departamenti i Drejtësisë, bazuar në legjislacionin e njohur si Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA).

Po kush është SIII?
Alan Blaine Stone themelues dhe ish-CEO i kompanisë amerikane të mbrojtjes Circinus Defense LLC, në të cilën ka qenë partner me mbledhësin e fondeve Elliott Broidy, ish-Zëvendës President i Komitetit të Inaugurimit të mandatit të Presidentit të SHBA Donald Trump dhe ish-zëvendëskryefinancier i Partisë Republikane, themeloi në vitin 2018 kompaninë e tij të konsulencës mbi sigurinë dhe inteligjencën Stone Strategic Solutions (SIII).

Në tetor 2018 Stone krijoi dhe një degë të saj në Bukuresht të Rumanisë. Gjithashtu Alan Blaine Stone e ka të regjistruar rezidencën e tij në Bukuresht, por si vendbanim kryesor e ka të deklaruar në shtetin Virxhinia në SHBA.

Nga publikimet, rezulton se Stone Strategic Solutions (SIII) ka qenë e kontraktuar edhe nga ish-Kryetari i PSD të Rumanisë, njëkohësisht ish-Kryetar i Parlamentit Liviu Dragnea. Falë ndëmjetësimit apo “ftesës” së Elliot Broidy, ish-lideri socialdemokrat rumun u shfaq në janar 2017 në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Donal Trump si dhe në disa fotografi pranë Presidentit Trump në Hotelin Trump International në Uashington, shkruan Eunews.

Por me gjithë përpjekjet e Stone Strategic Solutions, Liviu Dragnea u dënua me vendim të formës së prerë me 3.5 vite burg më 27 maj 2019 dhe më 5 shtator 2019 Sekretari Amerikan i Shtetit Maikëll Pompeo e shpalli Liviu Dragnean dhe familjarët e tij të papranueshëm për të hyrë në SHBA, për shkak të përfshirjes në korrupsion të nivelit të lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb