Kompania amerikane për prodhimin e pajisjeve ushtarake, Lockheed Martin, është gati të dërgojë aeroplanë luftarakë F-16 në Kiev, dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e reja.

Shefi i operacioneve në Lockheed Martin, Frank St. John, tha për Financial Times se ka “diskutime të shumta për transferimin e aeroplanëve F-16 tek një palë e tretë”, që do të thotë se vendet duan t’i blejnë aeroplanët dhe t’i dorëzojnë në Ukrainë.

Lockheed nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat për dërgimin e mundshëm të aeroplanëve ushtarakë në Kiev, por St. John tha se pavarësisht kësaj, kompania planifikon të rrisë prodhimin për të arritur në pikën ku mund të përmbushë kërkesat e të gjitha vendeve që vendosin të ndihmojnë Ukrainën në konfliktin me Rusinë.

Deklarata e tij erdhi pasi SHBA dhe Gjermania njoftuan këtë javë se do të dërgonin tanket e tyre të rënda në Ukrainë. Megjithatë, ukrainasit kërkuan edhe më shumë raketa dhe aeroplanë ushtarakë.

Holanda zotëron rreth 40 avionë luftarakë F-16, dhe së fundmi njoftoi se do të shqyrtojë “me mendje të hapur” të gjitha kërkesat formale për të dërguar aeroplanë në Ukrainë, dhe se nuk ka “tabu” kur bëhet fjalë për mbështetjen ushtarake.

Nga ana tjetër, Rusia pretendon se dërgimi i vazhdueshëm i armëve perëndimore në Ukrainë vetëm sa do të zgjasë konfliktin, dhe se paraqet rrezik për një konflikt të drejtpërdrejtë midis Moskës dhe NATO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb