“O njerëz të mirë e ju kalimtarë, ndaloni pak çaste këtu mbi gur janë katër engjëjt tanë që padrejtësisht u shuan. Atë ditë të premte këtu kaluan. Në këtë rrugë kur kaloni, ndalni hapa e qëndroni se është shpirti i njerëzve tanë, që me gjak vendin e lanë”.

Me këto fjalë të ndjera dhe sensibilizuese, të afërmit e familjes Gushi, Eduardit, Silvanës, Anastasias dhe Evas, i kanë kushtuar një memorial, vdekjes tragjike të tyre, në atë aksident të frikshëm në aksin rrugor Levan-Vlorë.

Në memorial, është shfaqur edhe një fotografi e çiftit dhe fëmijëve të ndjerë, ndërsa poshtë gurit, ndodhen dy arushë, që personifikojnë 2 vajzat e vogla. Në daljet televizive, edhe në intervistat e dhënë për “Neës 24”, të afërmit e familjes Gushi, kanë kërkuar drejtësi për ngjarjen, si dhe kanë sensibilizuar sistematikisht shoferët që të tregojnë kujdes, në mënyrë që situata të ngjashme të mos përsëriten më në të ardhmen.

Por si ndodhi ngjarja?

Të premten e 25 qershorit, familja Gushi, e përbërë nga katër antarë, babai Eduardi, nëna Silvana, e dy vajzat 14 vjeçe Anastasia dhe vogëlushja 9-vjeçare Eva, sapo kishin kaluar kufirin grek dhe ishin drejtuar për te të afërmit në Fier. Por, në aksin rrugor Levan-Vlorë, makina tip “Toyota” me të cilën ata po udhëtonin, u godit nga një mjet tip “Audi”, e për pasojë, ata dolën nga rruga e ndërruan jetë në vend.

Ndërsa, personat që ndodheshin brenda “Audit” arritën t’i mbijetonin aksidentit. Edhe pse ndërhyrja e kalimtarëve të rastit dhe ambulancës qe e menjëhershme, goditja rezultoi fatale për familjen emigrante, që mbyllën përfundimisht sytë, në vendin, që sot ndodhet memoriali në nderim të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb