Dita e shpalljes së fituesve të supertenderit 130 milionë euro për pjesën e mbetur të Unazës së Madhe erdhi. Autoriteti Rrugor Shqiptar publikoi fituesit e parë të dy loteve të rrugës. Kjo pjesë e Unazës është ndarë në 7 lote, me një kosto totale rreth 130 milionë euro. Bëhet fjalë për bashkimin e pjesës që po mbyllet të Unazës te shehshi “Shqiponja” me Bulevardin e Ri.

Por Unaza e Re, që ka prodhuar që në fillim trafik dhe skandale, duhet se nuk do të shpëtojë sërish nga dyshimi. Këtë radhë edhe i arsyeshëm. Duke qenë se bëhet fjalë për para të taksapaguesve, ARRSH është e detyruar të tregojë fituesit e tenderëve, sigurisht edhe të justifikojë vendimet e veta.

Deri tani është shpallur fituesi për “Ndërtim i segmentit rrugor sheshi ‘Shqiponja’–Bulevardi i Ri–Shkozë, Urat mbi lumin Tirana” dhe “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, loti 4”. Pjesa tjetër është në pritje të shpalljes së fituesit. Në total, vlera e tenderuar është 38 milionë euro, 21 milionë euro për urat dhe 17 për rrugët. Por si në çdo rast që po ndjek tenderët e rrugëve, dyshimi për shpalljen e fituesve është i madh. Çfarë ka ndodhur me tenderët është një situatë e pakuptimtë ekonomike.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ka disa firma dhe bashkime që marrin pjesë në tenderë, por skualifikohen nga autoriteti kontraktor. Pra, biznese private që angazhojnë inxhinierë dhe ekonomistë, grumbullojnë dokumentacion pafund, llogarisin oferta dhe në fund skualifikohen nga tenderi. Në tenderin e parë, siç shihet në tabelë, nga 6 kompani që hyjnë në tender, 4 skualifikohen. Njëra prej kompanive duket edhe qesharake kur ofron zyrtarisht 0 lek. Tenderi vijon, edhe pse më shumë se 60 për qind e pjesëmarrësve janë angazhuar të ofrojnë ndërtimin pa e pasur idenë e dokumenteve. Por dyshimi bëhet ulëritës në tenderin e dytë.

Arsyeja pse qeveria nuk lidh kontrata direkte për ndërtimin e një rrugë, apo blerjen e një shërbimi, por zgjedh të hapë tender, është sepse kërkon të blejë sa më mirë dhe sa më lirë. Ky është parimi, firmat konkurrojnë me dokumentacion (historik) dhe ofertë financiare. Qeveria blen më të mirën. Por çfarë ka ndodhur me tenderin e Unazës është absurde. Për tenderin “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, loti 4”, me fond limit 17.277.406 euro, marrin pjesë një numër rekord prej 8 kompanish dhe bashkime kompanish.

Duket se do të ketë konkurrencë të fortë dhe ARRSH do të gjejë ofertën më të mirë. Por nuk ndodh kështu. Autoriteti kontraktues i skulifikon 7 oferta dhe shpall fituese kompaninë e fundit që mbetet. Pra as nuk i hyn garës financiare, thjesht përjashton 7 nga 8 konkurrentët dhe shpall fituesin. Kuptohet qartë, që ose 7 kompanitë nuk ia kanë haberin fare për formulimin e dokumentacionit që kërkohet në tender, ose Autoriteti e di qartë fituesin. Dyshimi tjetër është edhe më i rëndë, që të 7 firmat të gabojnë qëllimisht në plotësimin e dokumenteve për të vendosur fituesin e mbetur.

Në të dyja variantet, sjellja e ARRSH-së është e dyshimtë. Është absurde të vijosh një tender nëse 7 nga 8 kompanitë nuk përmbushin dokumentacionin. Qartësisht nuk ka më konkurrencë, nuk ka më tender dhe nuk mbrohen më paratë e qytetarëve që ARRSH po shpenzon për rrugën. Në tabelat që boton gazeta janë të dhënat e dy tenderëve të parë. Fituesi i “lotit 4” ka një vlerë financiare prej 1.9 miliardë lekësh, ndërkohë që në tender ka të paktën tri oferta më të ulëta, të cilat janë skualifikuar për dokumente. Dhe këto janë vetëm dy tenderët e parë të vijimit të Unazës, priten edhe 5 të tjerë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: