TIRANË

“Berisha sjellje si burrë shteti”, është një deklaratë që e kujton shumëkush, e bërë nga ish-ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu në janar 2011 pas 21 janarit. Arvizu e ka shpjeguar sot në “Real Story” në News24 këtë deklaratë të tij dhe negociatat me Ramën e Berishën për të qetësuar situatën dhe ulur gjakrat në ditët që pasuan.

ARVIZU
Java pas 21 janarit ishte shumë e tensionuar për mua, pasi nuk ishim të sigurt nëse dhuna nuk do të shtrihej edhe në ditët më pas. Java pasuese dhe 28 janari, dhe mundësia që njerëz të tjerë mund të vriteshin. Pata shumë takime me kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Rama. Asnjë nga palët nuk tërhiqej. Rama më premtoi se protesta homazh do ishte paqësore. I kujtova se nuk kishte qenë e tillë, me gjithë premtimet ajo e 21 janarit, por më tha: “Kjo do jetë ndryshe!”. Berisha ishte shumë i axhituar dhe më tha se do të organizonte një kundër miting. Unë i thashë se ishte ide e tmerrshme, por ai nuk tërhiqej. Unë fola dhe me njerëz të tjerë. Phil Gordon, ndihmës sekretari i shtetit dhe Elliot Engel, ishin disa prej njerëzve me të cilët fola. Ata e morën në telefon që ai të tërhiqej. Më në fund, Berisha ra dakord. Debby Jones, zëvendës ambasadorja ime më kishte thënë se Berisha nuk do ta bënte kurrë këtë. Se ai nuk do tërhiqej, sepse do turpërohej në publik. Unë nuk e besoja këtë. Si pasojë e këtyre thirrjeve të përbashkëta ndaj kësaj ideje të keqe, ai u tërhoq dhe kur më pyetën në një konferencë shtypi unë u përgjigja.

Mund të kisha thënë thjesht: “Ne mirëpresim këtë vendim të Kryeministrit”. Por mendova sesa kishte vuajtur Berisha për të marrë këtë vendim dhe e quajta një sjellje si prej burri shteti, që na dëgjoi dhe u tërhoq. Jo nuk e kërkoi ai, ishte reagim spontan imi.

BUSHATI
Roli i ndërkombëtarëve në 2011 është roli që ata kanë treguar shpeshherë në këtë vend, fatkeqësisht që vazhdojnë ta luajnë edhe sot, që të jenë shumë më pranë pushtetit dhe shumë më larg të vërtetës dhe realitetit.

ARVIZU
Të dyja palët u përpoqën të ndikonin situatën dhe në rastin e SHBA-ve, mendoj që për shkak se në fund të mandatit të tij, ambasadori i mëparshëm Ëithers, kishte raporte të vështira me Kryeministrin Berisha, dhe raport të mirë me Edi Ramën, kishte një perceptim se ai ishte më afër socialistëve. Megjithëse e kundërta ishte e vërtetë, ai ishte perceptimi, edhe në Departamentin e Shtetit, para se të mbërrija unë. Unë u përpoqa të jepja mesazhin se, unë e dija që kishte një perceptim të tillë. Shumë vetë, edhe kur besojnë një gënjeshtër, ajo fillon e duket e vërtetë. Kështu unë mendova se gjithçka kishte ndodhur para ardhjes time në 2 dhjetor 2010; duhet të forcoja besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar e çtensionuar situatën. Unë duhet të arrij që njerëzit të shohin tek unë, dikë që nuk bëhet palë. Sigurisht, ne punojmë me qeveritë, dhe kështu duhet të mbajmë një marrëdhënie të afërt me të, sigurisht dhe me opozitën…

BUSHATI
Mbaj mend që disa ditë mbas ngjarjeve, ambasadori amerikan ishte futur në disa tratativa për të qetësuar palët, bëri një deklaratë që shokoi opinionin publik, madje opinionin publik më shumë, përtej kritikëve të qeverisë. Ai tha që Sali Berisha që ne dyshonim se kishte dorë në krimin shtetëror, ishte një burrë shteti. Ishte një gjë absurde për atë kohë, ishin arsye diplomatike që ai e bëri këtë dhe unë kam qenë shumë kritik edhe me shkrime edhe me qëndrime televizive, ndaj kësaj hipokrizie amerikane e cila mbronte kryeministrin e asaj kohe.

ARVIZU
Andi Bushati, siç thonë shumë veta, është vetëm një bllokmen. Por e thosha si reagim emocional dhe si i tillë nuk është shumë ndihmues. Mediokër? Ndoshta ashtu i dukem dikujt. Por me gjithë ato që ndodhën në katër vitet e mia atje, që të theksosh vetëm atë deklaratë time për Berishën, kur janë ngjarje të tjera, si zgjedhjet e 8 majit, armët kimike dhe kontributin e ambasadës në këto ngjarje… Pra ka kaq shumë gjëra të mira e të këqija, dhe ju zoti Lapsi ndaleni tek ajo deklaratë, që sipas jush e quajta Berishën burrë shteti? Mendoj që kjo ishte shumë e ulët dhe mediokre.

BUSHATI
Më pas kam pasur rastin privatisht të flas me zotin Arvizu për këtë çështje, më ka ironizuar për tonet e mia kritike, sipas tij më shumë se sa duhej, por më ka thënë ‘unë nuk kisha rrugë tjetër në atë tension, veçse të merrja me të mirë dhe ta zbusja Berishën për ta kontrolluar. E di që ndoshta nuk ishte deklarata e duhur e atij momenti, por si diplomat këtë pashë rrugën më të arsyeshme për të ulur gjakrat në ato ditë të tensionuara.

MERO BAZE
Përjashto ambasadorin amerikan të cilin e përdori Berisha. E keqpërdori si mund të thuash. Jo ditën e vrasjeve, por ditën e protestës së përsëritur që do të bëhej me datë 28 janar, një javë më pas. Berisha ngriti një tymnajë të madhe që Edi Rama do sulmojë sërish, do bëjë përsëri….dhe nga këto që unë i thashë një diplomati të huaj që po erdhi ai do ta qëlloj në lule të ballit. Thojani Edi Ramës, ai do të trembet. Bënte si ‘lac’ i fortë lagjeje që do vriste përsëri dhe gjithë këtë e bënte për t’i impresionuar ata që këtu e keqja do vejë deri në fund prandaj angazhojuni. Dhe ambasadori Arvizu, siç ma ka shpjeguar edhe vetë u angazhua në këtë segment, në përpjekje për t’i thënë Ramës që protesta të jetë paqësore, bile mundësisht mos e bëni fare. Shtyjeni atë protestën, mos e bëni fare. Se po e shtyve ti, edhe Berisha do bashkëpunojë me drejtësinë. Berisha duke e ditur, se i impresionon në fillim këta diplomatët, duke e parë Arvizu që kishte vullnetin që të ishte negociator në këtë histori, i tha unë jam dakord me ato që të kam thënë, por ai nuk po e mban fjalën, dhe…

ARVIZU
Më kujtohet se Berisha i axhituar, ma bëri të qartë mua dhe Tom Countrymen, se nëse do kishte një përpjekje të dytë (nga Edi Rama), reagimi i autoriteteve do ishte edhe më i ashpër se në 21 janar.

SOKOL BALLA
Për këtë duhet të thërrasim në ndihmë sërish Sali Berishën, i cili në prill të 2018 në ‘Real Story’, pati deklaruar se ai i pati paralajmëruar ambasadorin amerikan dhe të dërguarin amerikan, se në rast se Edi Rama do të tentonte me 28 janar, kur do të bëheshin shtatë ditët e protestës të sulmonte sërish kryeministrinë, atëherë ai do të merrte një përgjigje edhe më të egër e të fortë.

ARVIZU
E di që Berisha në intervistë në “Real Story” para dy vjetësh, ka thënë që do ta vriste Edi Ramën, por unë mbaj mend atë që thashë. I thashë se ajo që ndodhi në 21 janar ishte dite e dhimbshme për ata që humbën jetën, ditë e shëmtuar për Shqipërinë dhe se tani të gjithë duhet të ftohnin gjakrat. “Përfshirë dhe ju zoti Kryeministër”, i thashë atij direkt.

Nuk i thashë Ramës tekstualisht çfarë më tha Berisha, por sigurisht e perifrazova pa i ndryshuar kuptimin. “Ju e dini më mirë se unë, se nëse gjërat dalin sërish jashtë kontrollit, situata do të jetë edhe më e keqe se në 21 janar.”

BALLA
Pas kërcënimit që mori nga Sali Berisha, Arvizu e ka takuar natën e fundit me 27 janar, Edi Ramën dhe i është lutur, që së paku, së paku ai vetë të mos shkonte në protestë. Një kërkesë që iu refuzua sërish nga Edi Rama.

ARVIZU
Unë kujtoj se kishte disa zëra se pas 21 janarit, 28 janari do të ishte më keq. Se do kishte më shumë protestues. Kryeministri kishte anuluar antimitingun, por ai vazhdonte të ishte shumë i axhituar. Emocionet ishin të larta, sidomos pas vdekjes së protestuesve. Edhe jeta e Edi Ramës ishte në rrezik dhe mua më kujtohet se folëm me të, edhe për këtë.

ARVIZU
Unë isha i ri në detyrë, po kështu edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, si dhe ambasadori i OSBE-së Volfart, nuk kishte shumë në këtë detyrë. Tani mendoj: a mund të ishte kjo një rastësi, apo disa faktorë politikë e përdorën këtë rrethanë?

SOKOL BALLA
3 diplomatët kryesorë në vend atë kohë, Arvizu, Sequi dhe Volfart, pra ambasadori i amerikan, i BE-së dhe OSBE-së, kishin vetëm pak kohë që kishin mbërritur në Tiranë, ata nuk e dinin akoma skakierën politike sesi ajo funksiononte. Dhe le te themi në mirëbesim i besuan informacionit nga iu dha policia dhe i bënë presion Ramës se nuk duhet ta mbante atë protestë.

MERO BAZE
Arvizu bëri atë deklaratën që i është keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme që Berisha u tregua burrë shteti se e mbajti fjalën, u qëndroi fjalëve që më tha mua, por Rama duhet të tërhiqej nga demonstrata. Të gjithë këtë ja morën dhe ia përdorën Arvizusë, sikur Arvizu ka thënë që Berisha u tregua burrë shteti që vrau ata të 4, gjë që nuk ka asnjë lidhje ajo gjë me këtë histori. Dhe ne këtë rast ja keqpërdori në mënyrë djallëzore. Sa herë përdorej 21 janari thoshte, ka thënë ambasadori amerikan, Berisha është burrë shteti për vrasjet. Ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me vrasjet.

ARVIZU
Dhjetë vjet më vonë, a i qëndroj asaj thënieje? Disa njerëz e pëlqyen atë që thashë, Berisha dhe mbështetësit e pëlqyen. Na ndihmoi ne në ambasadë të kishim për pak muaj, një bashkëpunim të mirë me qeverinë. Për fat të keq, nuk zgjati shumë. Nëse do ta kisha thënë ndryshe? Ndoshta po. Por kishte një arsye, përse e thashë në atë kohë. Ndoshta nuk ishte perifrazimi më i mirë, por i qëndroj asaj që thashë atë ditë.

BALLA
Kjo deklaratë më pas e ka ndjekur si fantazmë Arvizun gjatë gjithë qëndrimit të tij në Tiranë dhe shumë gazetarë e kanë kritikuar deri në fund për këtë. Duhet thënë që Arvizu përfundoi në vitin e dytë të mandatit të tij sërish armik me Sali Berishën, jo se e kërkonte ai vetë, por se kështu e cilësonte Sali Berisha. Në momentin kur ekspertiza e FBI kur mbërriti në janar të 2012 në Tiranë dhe Berisha e mori atë ekspertizë e mori dhe e hodhi në plehra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb