‘Shumë zhurmë për asgjë’ do të ishte titulli më i përshtatshëm për shfaqjen që mori jetë ditën e hënë në selinë e Kuvendit të Republikës. Nisur nga premisat mbi të cilat ishin ngritur qëndrimet e Presidentit dhe hetuesëve të tij, pritshmëritë ishin që mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar, i ngritur per shkarkimin Metës, të ishte shpërthyese. Por, në politikën tonë, pritshmëritë janë ato që tradhëtohen të parat. Seanca që premtonte të ishte ballkanike, në lartësinë e akuzave të shkëmbyera midis palëve, u transformua në një bisedë anglosaksone.

Sigurisht një Komision i ngritur për të luftuar shtrigat në kokën e mazhorancës, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit, kishte për qëllim ekskluziv ndërtimin e një armiku. Një armik që do të përdorej si shënjestër përgjatë gjithë jetëgjatësisë së Komisionit Hetimor, me qëllim ndërtimin e lajmeve, spostimin e vëmendjes dhe ushqimin e opinionit publik me bëmat e ‘ububshme’ të Presidentit, duke shpëtuar kështu nga përgjimet e Bild dhe nga dhjetra gjynahet që mban mbi kurriz kjo mazhorancë.

Por, kur Presidenti u ndodh përballë dosjes 184 (ajo e Dibrës), për ironi të fatit të mishëruar në atë sallë kryetari i Komisionit Hetimor Ulsi Manja, nuk ndodhi asgjë. Baruti ishte lagur dhe lufta u bë një lojë politike që secila palë e interpretoi sipas strategjisë së saj.

Ndërkohë, të gjithë ata që prisnin me mirakande rezultatin e Komisionit Hetimor, për të kuptuar trajektoret që do të merrte mandej kriza politike, do të duhej të prisnin pasditen. Sepse ndërsa në Tiranë ‘luhej luftërash’, në Bruksel, në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, Basha po punonte për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Sigurisht ‘lufta’ e tij nuk ka përgjegjësinë dhe përmasat e asaj që do të duhej të kryente Kryeministri i vendit; i cili deri më sot do të mbahet mend për tre JO-të e njëpasnjëshme nga Europa. Megjithatë ka forcën e simbolikës. Bashkues kur bëhet fjalë për interesat e vendit, por krejt i pangjashëm me paraardhësin e tij në opozitë, i cili nuk e la kurrë Qarkun e Fierit për Brukselin.

Sidoqoftë, ky inkursion në kryeqytetin e Bashkimit Europian nuk flet vetëm për qëllimet e Bashës, por ndoshta edhe për qasjen e re të shumëpërfolur në arenën ndërkombëtare. Të mishëruar jo vetëm nga mesazhi mbështetës për aspiratat europiane të shqiptarëve, të cilat lehtësojnë rrugën demokratike: ‘Hapja e negociatave është e rëndësishme pasi do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi’. Por edhe nga prania krah tij të Arben Kashahut, i sapoemëruar në krye të Sekretariatit për Marrëdhëniet me jashtë. Një pagëzim zjarri shumë i shpejtë që tingëllon si një garë kundër kohës së humbur.

Me vetëdije se drita e normalizimit të jetës politike në Shqipëri, nuk do të feksë nga sallat e Kuvendit, por nga ato të Brukselit. Pasi, për mirë apo për keq, në vendin tonë dielli vijon të lindë në perëndim!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb