Një rrjedhje e dokumenteve që dyshohet të jenë të klasifikuara, ku detajohen planet sekrete të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndihmuar Kievin, ka të ngjarë të jetë një operacion rus dezinformimi, për të hedhur dyshime në lidhje me kundërofensivën e planifikuar të Ukrainës, tha të premten një zyrtar i lartë ukrainas.

Mykhailo Podolyak i tha agjencisë së lajmeve Reuters se të dhënat e rrjedhura të raportuara nga gazeta New York Times përmbanin një “sasi shumë të madhe informacioni të sajuar” dhe se Rusia po përpiqet të rimarrë kontrollin e ofensivës së saj ndaj Ukrainës.

“Këto janë elemente standarde të lojërave operacionale nga zbulimi rus. Asgjë më shumë”, tha ai përmes një deklarate.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se nuk ishte në gjendje të analizonte menjëherë dokumentet e rrjedhura.

New York Times raportoi të enjten se Pentagoni po heton se si këto dokumente që dyshohet se detajojnë planet për të përgatitur ushtrinë ukrainase për një ofensivë të planifikuar, u publikuan në mediat sociale këtë javë.

“Jemi në dijeni të njoftimeve për postime në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.

Nga ana e tij zoti Podolyak i sheh këto zhvillime si një përpjekje të Rusisë për të fituar terren në Ukrainë:

“Ata po përpiqen të ndikojnë në skenarët e planeve kundërsulmuese të Ukrainës. Për të ngritur dyshime, për të kompromentuar idetë dhe në fund për të na frikësuar me idenë se sa ‘të informuar’ janë ata”.

Trupat ukrainase janë përballur prej muajsh me një sulm rus në lindje të vendit, të përqendruar rreth qytetit të Bakhmutit. Ukraina shpreson të nisë një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Raporti i gazetës New York Times thotë se dokumentet dukej se ishin modifikuar në pjesë të caktuara. Një pjesë e dokumenteve ofroi një vlerësim për humbjet ushtarake ukrainase që ishin shumë më të larta se vlerësimet perëndimore të disponueshme deri më tani.

Ukraina nuk i publikon nivelet e humbjeve të saj dhe është shumë e ndjeshme për këtë çështje./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: