BERAT– Pesë pronarë lokalesh në qytetin e Beratit janë proceduar penalisht ditën e sotme, pasi në ambientet e bizneseve të tyre lejonin ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Gjatë aksionit të policisë së koduar “Makineta”, nga kontrollet e ushtruara në disa lokale në Berat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 makineta dhe një kompjuter.

Nisur nga ky operacion, policia e Beratit ka nisur procedimin penal ndaj pronarëve të 5 lokaleve që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit: L.V, 47 vjeç; M.V, 22 vjeç; E.P, 27 vjeç; I.D, 24 vjeç; A.B, 43 vjeç.

Sipas policisë së Beratit, “gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të policisë, në lokalet e tyre janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin e lojërave të fatit, si dhe vënien e lokaleve në dispozicion të tyre, pa leje”.

Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit për procedim të mëtejshëm penal për veprat penale “Organizim i llotarive të palejuara” dhe “Vënia në Dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuar”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb