Shqipëria vijon garat në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë, teksa dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për boksin kuqezi.

Pasi kishte fituar duelin e parë kundër turkut Necat Ekinci në ndeshjen debutuese për peshat 69 kg, Alban Beqiri u ngjit mbrëmjen e djeshme në ring për sfidën çerekfinale ndaj algjerianit Jugurtha Ait-Bekka.

Një sfidë që vendoste edhe medalje, për vetë rregulloren e boksit, pasi kalimi në gjysmëfinale të dhuron minimalisht bronzin. Por dueli i djeshëm në “Oran 2022” u shoqërua me shumë polemika, kjo për shkak të arbitrimit.

Pas dy raundeve të para, të cilët gjyqtarët i akorduan në favor të boksierit vendës me rezultatin e ngushtë 10-9, trajnerët Zef Gjoni dhe Renato Kurti, në shenjë proteste vendosën që ta tërheqin boksierin Beqiri nga dueli në raundin e tretë.

Trajnerët së bashku me boksierin Beqiri kishin pakënaqësi të mëdha për të gjithë arbitrat, të cilët ishin të njëanshëm duke e mbajtur ndeshjen në favor të boksierit vendës.

Kështu, Beqiri e ndal mes shumë polemikash në gjysmëfinale rrugëtimin e tij në Lojërat Mesdhetare, në ditën kur festonte 28-vjetorin e lindjes.

Kujtojmë se Alban Beqiri mban rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e boksit shqiptar, teksa rreth një vit më parë si askush tjetër më parë arriti që të fitonte medaljen e bronzin në Kampionatin Botëror.

FLET TRAJNERI BUSHATI – Pas ndeshjes së Alban Beqirit gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin e tij personal, Sead Bushatin. Ky i fundit në një prononcim të shkurtër evidenton arbitrimin e njëanshëm.

“Arsyeja e tërheqjes nga trajnerët atje ishte arbitrimi i keq gjatë dy raundeve të para, por sidomos në setin e dytë”, thotë Bushati. Megjithatë, trajneri shkodran që e stërvit Beqirin te skuadra e Tiranës, thotë se nëse do të kishte qenë në Oran, ai nuk do të kishte marrë vendim për ta tërhequr nga dueli:

“Po të isha atje nuk do ta merrja një vendim të tillë dhe do ta lija ta mbaronte ndeshjen deri në fund. Arbitrimi i dobët në Lojërat Mesdhetare u pa edhe me shumë boksierë të tjerë që u ndeshën me vendësit e Algjerisë”, thotë Sead Bushati.

Ko
Ko

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb