Qeveria propagandon vazhdimisht dixhitalizimin e shërbimeve, gjë që përveçse do të rriste cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve, duhet të reduktonte numrin e punonjësve të administratës, gjë që nuk ka ndodhur realisht. Jo më larg se të shtunën e javës së kaluar, kryeministri Rama tha se dixhitalizimi i shërbimeve do të eliminonte kontaktet e qytetarëve me sportelet e shtetit.

“Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia. Është koha për ti mbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta”, tha Rama.

Me dixhitalizimin e shërbimeve, administrata publike duhet të reduktohej pasi edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjeteve teknologjike janë rritur. Megjithatë shifrat flasin për të kundërtën. INSTAT raportoi se në tremujorin e fundit të vitit 2022, administrata publike arriti në 184,396 persona ose 2,036 të punësuar më shumë në tremujorin e tretë, teksa në sektorin privat për të njëjtën periudhë krahasimi punësimi pësoi tkurrje e mbi 10 mijë persona.

Në sektorin privat, punësimi ka një cikël sezonal. Një numër më i madh personash punësohen gjatë sezonit të verës nga maji në shtator për shkak të kërkesës nga turizmi dhe bujqësia. Ndërsa në sektorin shtetëror punësimi nuk lidhet me sezone, por me zgjedhje.

Gjithmonë në prag të zgjedhjeve ka një tendencë për të fryrë administratën me punonjës qoftë edhe të përkohshëm. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, punësimi në administratën publike jo vetëm që u rrit në krahasim me tremujorin e tretë, por edhe me të njëjtën periudhe të vitit 2021.

Përvojat e kaluara tregojnë se punësimi në Administratën Publike në prag të zgjedhjeve rritet ndeshëm sidomos në ndërmarrjet e pastrimit dhe gjelbërimit dhe në ujësjellës.

Në vitin 2021, kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti.

Më 14 maj të këtij viti do të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal teksa, punësimi në shtet pritet të rritet më tej në tremujorin aktual.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: