Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat foli për procesin zgjedhor, ku tha se pati vetëm votime nën territorin e narkoshtetit.

Sakaq më tej, Blushi tha se bandat e qeverisë janë përhapur nga jugu në veri të Shqipërisë.

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi:

Çdo ditë, çdo orë dhe minutë dalin në dritë fakte të reja dhe dëshmi tronditëse që provojnë sesi krimi dhe bandat, nga Veriu në Jug, nën komandën e Edi Ramës shkatërruan procesin zgjedhor, standardet e të cilit ishin zeruar përpara se të niste ky process duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke i hequr komisionerët dhe numëruesit, duke burgosur kandidatët e saj për arsye politike, duke përdorur çdo formë presioni, kërcënimi dhe shantazhi ndaj votuesve të opozitës, direkt edhe me gojën e kryeministrit, që i paralajmëronte për pasojat që do të kishin nëse votonin kundër “Rilindjes”.

I gjithë ky shkatërrim i procesit zgjedhor, i tjetërsimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë është fakt i dokumentuar botërisht.

Qindra milionë euro të pista u hodhën në fushatë për të blerë vota, aq sa tronditen si kurrë më parë edhe kursin e euros, që humbi gati 10% të vlerës, për të influencuar votuesit.

Ministra, zv/ministra, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, nëpunës bashkie dhe punonjës të administratës publike, grupe kriminale dhe banditë lokalë, deri edhe oligarkë, mësynë drejt qendrave të votimit dhe bënë presion hapur ndaj çdo votuesi, komisioneri dhe numëruesi.

Mijëra punesime shtesë u bënë për qellime elektorale dhe mijëra legalizime të bllokuara qëllimisht me vite u dhanë deri një ditë përpara zgjedhjeve.

Miliona euro u hodhën për asfalt elektoral edhe në mes të Tiranës, ndërkohë qindra milionë lekë u ndanë për gjoja ndihma ekonomike dhe për pensione pa mbushur dokumentat.

Mijëra njerez u kërcënuan në pragun e shtëpisë dhe në qendrat e votimit për të mos votuar opozitën. Komisionerë dhe vëzhgues u rrahën barbarisht. Ndërkohë mijëra biznese u shantazhuan, u kërcënuan dhe u gjobitën rëndë nga partia në pushtet.

Burgjet u përdorën për të devijuar rezultatet e votimit ndërkohë që Policia e Shtetit, u bë njësh me krimin dhe u përdor si badigarde dhe eskortë e tij, në çdo akt dhune dhe tjetërsimi të votës.

Grupet kriminale dolën hapur në krah të “Rilindjes” dhe Policia bënte sehir jo vetëm duke mos reaguar por edhe duke braktisur ditën e zgjedhjeve të gjitha qendrat e votimit.

1 milion e 250 mijë shqiptarëve ju ndryshua qendra e votimit qëllimisht javën e fundit për të dekurajuar e penguar votimin, ndërsa qendrat e numërimit të votave u kthyen në ambiente ku dhunohej në grup çdo ligj dhe normë që disiplinon zgjedhjet.

Kwto fakte, të konsumuara botërisht, u vulosën edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë OSBE-ODIHR, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian që i panë me sytë e tyre këto narkozgjedhje.

Shqiptarët bënë sakrifica të mëdha për të votuar në një ambient elektoral të minuar dhe të shkatërruar nga Edi Rama dhe Qeveria, duke dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi me marrjen pjesë në këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit.

Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia dhe Ndryshimi që ai meriton, është e pashmangshme.

Mbrojtja e votës është objektivi ynë madhor dhe të gjithë energjitë tona do të jetë të përqëndruara në këtë proces!

Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve, të cilën jemi të vendosur ta mbrojmë me çdo çmim!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb