Grupet audiovizuale britanike BBC dhe ITV prezantuan sot në Britaninë e Madhe “BritBox”, shërbimin e tyre video që synon të konkurojë gjigantin amerikan “Netflix”.

BBC dhe ITV njoftuan përveç të tjerave se kishin arritur një marrëveshje me transmetuesit Channel 4 dhe Channel 5, për të dyfishuar programet e tyre.

Britbox ekziston tashmë në SHBA dhe Kanada ku performancat janë më të mira nga sa parashikohej nga dy grupet, por ato mbeten modeste.

Britbox, që do të kushtojë 5,99 stërlina në Britaninë e Madhe, do të ofrojë koleksionin më të madh britanik (të programeve të transmetimit në Britaninë e Madhe) duke filluar nga klasikët tek emisionet dhe serialet më të fundit si “Downton Abbey”, “Broadchurch” apo emisionet reality show “Love Island”, theksuan ata në një komunikatë.

Për analistin e medias, Tom Harrington, pagesa e ulët e dhënë për përmbajtjet origjinale mbetet një problem për të rivalizuar Amazon dhe Netflix, tashmë të vendosura mirë në Britaninë e Madhe.

“Telespektatorët do ta kenë të vështirë të dallojnë këtë shërbim të ri nga Netflix apo Amazon, që kanë transmetuar programet e ITV dhe BBC”, shtoi Harrington.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb