Shtetasit e Britanisë së Madhe që kthehen nga vendet e vendosura në “listën e kuqe” të qeverisë nga 15 shkurti do të duhet të qëndrojnë në karantinë në hotele në kuadër të masave për të frenuar koronavirusin e ri (COVID-19).

Vetizolimi për qytetarët dhe shtetasit që kthehen në Britaninë e Madhe nga Amerika e Jugut, Afrika Jugore, Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të jetë i detyrueshëm për 10 ditë.

Pasagjerët që kthehen do të vendosen në hotelet e miratuara nga qeveria dhe ata do të paguajnë koston e qëndrimit nga të ardhurat e tyre.

Politika e re, e njoftuar për herë të parë nga kryeministri Boris Johnson muajin e kaluar, synon të ndalojë rrjedhën e llojeve të reja të koronavirusit në vend, i cili tashmë ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve në Europë.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, sipas një zëdhënësi të këtij Departamenti, është duke punuar me një ritëm të shpejtë për të filluar karantinën e menaxhuar për shtetasit britanikë që kthehen në shtëpi nga vendet më të rrezikshme.

“Përballë llojeve të reja është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshme për të mbrojtur njerëzit dhe për të shpëtuar jetë”, theksoi zëdhënësi.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock do të mbikëqyrë politikën e re të karantinës.

Hotelet e karantinës do të zgjidhen midis hoteleve pranë aeroporteve dhe porteve detare në Londër, Birmingham, Bristol, Manchester, Edinburg, Glasgow dhe Aberdeen.

Sipas rregullave të reja në Britaninë e Madhe, të gjithë që mbërrijnë në vend duhet të izolohen për 10 ditë dhe duhet të plotësojnë një formular të lokalizimit të pasagjerëve, i cili është i disponueshëm në internet.

Personat që hyjnë në Angli po ashtu duhet të tregojnë një rezultat negativ të testit PCR jo më të vjetër se 72 orë.

Gjatë javës së fundit në Britaninë e Madhe kanë humbur jetën mbi shtatë mijë persona nga COVID-19, përfshirë 915 viktima brenda ditës së fundit.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 110 250.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb