LONDER- Në kuadrin e vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani të shoqëruar nga delegacioni zyrtar, vizituan dhe vendosën një kurorë me lule tek busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në praninë e një numri të madh miqsh britanikë dhe bashkëatdhetarësh, nga Ambasadori i Shqipërisë dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti Nishani u shpreh i lumtur dhe krenar për praninë e bustit të heroit tonë kombëtar në një qytet me histori të madhe e të lavdishme, si ai i Londrës.

Presidenti Nishani falënderoi të pranishmit, si dhe shprehu mirënjohjen për autoritetet e qytetit të Londrës, për miqtë britanikë dhe bashkatdhetarët e nderuar që bënë të mundur vendosjen e këtij busti dy vite më parë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Prania e Heroit tonë Kombëtar, i cili është një simbol në tërësi i një rezistence mbarëevropiane, në një prej shesheve të Londrës është një shenjë e rëndësishme e miqësisë së fortë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky bust sjell pjesë të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, pjesë të rëndësishme të kontributeve që shqiptarët kanë dhënë në hapësirën evropiane prej shumë kohësh.” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Natyrisht që sot ne jetojmë në kohë moderne dhe për fat të mirë shqiptarët sot, kudo ku jetojnë, janë shumë herë më të prosperuar, më të arrirë, më të zhvilluar, më të unifikuar në objektiva e në mendime dhe në kontribute për vendet ku jetojnë, ashtu siç është edhe diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe, së cilës unë dëshiroj t’i ofroj respektin më të veçantë në emrin tim, në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në emrin e të gjithë shqiptarëve për të gjitha ato sakrifica që ata kanë bërë dhe tashmë janë të integruar në shoqërinë e këtij vendi shumë të madh, të kësaj shoqërie të lirë e demokratike, me kaq shumë histori, vlera, tradita dhe zhvillim, por edhe me atë ndjenjën e mikpritjes e të bujarisë që ka ofruar edhe për shqiptarët.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: