Qindra mijëra britanikë u bashkuan sot në një marshim për një referendum të dytë mbi Brexit-in, pasi deputetët votuan kundër marrëveshjes së kryeministrit Boris Johnson për të dalë nga Bashkimi Europian.

Grupi, i mbështetur nga deputetë pro BE-së, të partive kryesore politike të Britanisë së Madhe, deklaroi se shpresojnë të tërheqin qindra mijëra mbështetës që ta bëjnë marshimin drejt parlamentit, një nga protestat më të mëdha dhe më të rëndësishme që vendi ka parë ndonjëherë.

“Le të kemi një referendum përfundimtar, ku të besojmë te populli, jo te Boris Johnson, për zgjidhjen e krizës së Brexit-it”, shkruajnë në Twitter organizuesit e grupit “People’s Vote”.

Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, dhe anëtarja e parlamentit, Caroline Lucas, e cila drejton partinë e Gjelbër në Britaninë e Madhe, ishin ndër politikanët që folën në këtë tubim.

“Jepuni njerëzve fjalën e fundit për Brexit”, shkroi Khan në Twitter.

“Kjo mund të jetë mundësia jonë e fundit të luftojmë për demokracinë dhe vendin tonë në Europë”, deklaroi ndërkohë Khan për gazetën “Independent”.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb