LONDER

Një zjarr i fuqishëm ka shkatërruar pjesërisht gjatë natës së shkuar sallën e koncerteve londineze Koko, në pjesën veriore të Camden, një nga më të njohurat e kryeqytetit anglez.

Sipas asaj që raporton Bbc online çatia e godinës është përfshirë plotësisht nga flakët. Nuk ka njoftime për viktima apo të plagosur.
Rreth 60 forca zjarrfikëse kanë arritur të lokalizojnë flakët rreth orës 3:30 të këtij mëngjesi (me orën tonë), ka bërë me dije shefi i forcave zjarrfikëse Jon Lewis.

Salla e koncerteve, që ishte mbyllur pasi po rikontruktohej, u inaugurua në 1900 me emrin e Camden Theatre, më pas mori emrin The Music Machine dhe më pas Camden Palace dhe Camden Hippodrome, përpara se të merrte emrin që mban tani Koko.
Gjatë viteve në skenën e saj kanë performuar grupe si Coldplay, Rolling Stones, Clash dhe këngëtarë si Madonna dhe Prince. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende dhe për ngjarjen është hapur një hetim.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb