SHBA- Britania e Madhe kërkoi sot heqjen e të gjitha rrethimeve të lokaliteteve siriane, në një kohë që OKB-ja ka filluar të shpëtojë qytetin rebel të Madayas.

Një autokolonë me ndihma mbërriti sot në Madaya, pranë Damaskut, rrethuar që prej gjashtë muajsh nga ushtria siriane dhe ku popullsia vuan nga uria, sipas organizatave humanitare.

“Të privosh civilët nga ushqim është një taktikë çnjerëzore e përdorur nga regjimi i Assad dhe aleatëve të tij”, deklaroi ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Matthew Rycroft.

“Të gjitha rrethimet duhen hequr për të shpëtuar jetët e civilëve dhe për të promovuar paqen në Siri”, shtoi ai në një komunikatë. “Rreth 400 000 sirianë janë përfshirë nga luftimet, rrethuar nga ushtria qeveritare apo grupet e armatosura”, sipas OKB-së.

“Është e papranueshme”, deklaroi ambasadori duke shtuar se të bllokosh mbërritjen e ndihmave përbën një shkelje të ligjeve humanitare ndërkombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb