Trajneri i njohur, Shpëtim Duro, i ftuar në emisionin Sport News të moderatores Enxhi Biba komentoi largimin e Edi Martinit dhe Gugash Maganit nga skuadrat e tyre respektive duke u shprehur:

Largimi i Edi Martinit – “Martini ka zhvilluar karrierë të suksesshme te Teuta, e kanë filluar keq kampionatin si kampione që është, ndoshta kjo është arsyeja që dha dorëheqjen.

Për mua është vendim profesional i tij, ai i di më mirë gjërat në klub. Teuta kishte javë që nuk po reagonte në nivelet e sezonit të kaluar, dhe ndoshta kjo e ka shtyrë të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës”.

Largimi i Gugash Maganit: “Janë dy largime të ndryshme, Martini ka dhënë dorëheqjen, ndërsa Magani është shkarkuar për mungesë rezultatesh. E shoh si veprim të nxituar, më erdhi keq.

Është faza e parë, skuadrat janë deri diku jo shumë të distancuar, megjithatë këto i dinë mirë drejtuesit dhe trajnerët. M’u duk veprim i nxituar, sepse e ka ndërtuar vetë skuadrën e njeh me detaje, dhe duhej kohë e gjatë të vazhdonte punën dhe të kërkohej llogari.’’

Kriza te Tirana: ”Kemi diskutuar pas eliminimit të Tiranës, nuk është i lehtë për një skuadër që ka objektiva. Do të fillojnë problemet, sidomos te Tirana që ka presion rezultatesh. E pamë te humbja me Kukësin, që vazhdoi te barazimi me Korçën, jo që nuk ndodh por ajo çka dha. Është në vend të parë, por është ndryshe pasi Kukësi e Vllaznia po e rivalizojnë për titull”.

Mungesat e Xhixhës dhe Behiratçe: ”Absolutisht jo, skuadrat që janë ndërtuar për titull dhe kanë emër, nuk duhet të varen nga mungesat e një ose dy lojtari, sepse janë të pranishme çdo javë. Tirana në 4-5 javët e para bëri paraqitje të dobëta, dhe u përmend Çelhaka, ai iku, por më pas u harrua. Janë ekipe që pretendojnë, kanë nivele të larta. Nuk e diskutoj, Tirana ishte e plotë me Ngo me Seferin, por nuk prodhoi fare’.

Ndeshja me Egnatian: ”Të gjitha ndeshjet janë të vështira, të gjitha skuadrat kanë organikë, e theksova për Skënderbeun që kur do të marrë pikë, është e vështirë, ka kualitet. Nuk e bën dot hapin e madh, pasi është në ato ujëra, të prish shumë punë. Akoma më shumë Egnatia, skuadër e ndërtuar me lojtarë cilësorë, që kanë luajtur në nivele të larta. Çdo ndeshje ka vështirësi. Tirana duhet të reagojë pasi do t’i fillojë problemet më të mëdha”.

Kukësi: ”Kam qenë skeptik, për arsye të mbrojtjes, por jam i bindur që Kukësi është skuadër më kompakte. E pamë dhe me Tiranën, dhe me Egnatian, kam mendimin që është meritë e tyre, është kundërshtar serioz dhe i shoh kompakt, racional dhe me besim për rezultatet”.

Longo apo Shehi, cili është në presion: ”Shehi është trajner që ka qenë dhe sezonin e kaluar, Tirana e ka respektuar. Të jemi realist se Tirana ka pasur trajner që kanë fituar titullin dhe i kanë larguar, pavarësisht se nuk arriti objektiva, ky është vlerësim maksimal.

Këtë vit nuk ka tolerime në këtë aspekt, ndërsa trajneri i Kukësit ka ardhur në verë. Po bën punë të mirë, në raport me këta dy trajnerë shoh në presion Shehin, pasi ka një periudhë më të gjatë. Me Egnatian do të jetë në vështirësi, pasi duhen rezultatet”.

Fitorja e Partizanit: ”Futbolli është i çuditshëm, nuk është rasti i vetëm. Partizani arriti të fitonte ndaj kampionëve, ishte ndeshje që mendohej e mbyllur referuar lojës. Teuta kishte mundësi të dyfishonte, ndërsa Partizani nuk kishte shumë raste të rrezikshme. Kjo fitore fantastike duhet t’i shërbejë për kthesën, pasi mund të themi që e ‘’ndihmoj Zoti’’, por duhet të hyjë në ritmin e kampionatit, pasi nëse kjo fitore nuk shërben për këtë do të ketë vështirësi.

Është 3 pikësh shumë i rëndësishëm, mënyra se si erdhi ndaj kampionëve, ishte në disavantazh, dhe them që do ndikojë pozitivisht, megjithatë do të shikojë si do të reagojë. Ky është problem te trajneri, ishin dy trajnerë iku Martini, qëndroj Daja. Këto do jenë dhe në vazhdimësi, janë probleme të kampionatit”.

Afrimi i Renato Arapit: ”Të jemi realist, drejtuesit e klubit e dinë vetë, kam konsideratë për Renaton, e kam pasur dhe futbollist, jam pak skeptik, pasi merr drejtimin e një skuadre ku para 5 muajsh ka qenë futbollist. Është shpejt për ta marrë skuadrën në nivele të tilla, pasi nuk po e marrim të mirën, nëse nuk do të shkojnë mirë punët do të ndikojë në karrierën e tij. E shoh si veprim të nxituar nga klubi, por dhe vetë Renato, megjithatë i uroj suksese por është punë me mjaft përgjegjësi në këtë momente, sepse është kampione”.

Teuta për titull: ”Arapi i njeh mirë lojtarët, ka qenë kapiten. Por është pozicion tjetër të jesh futbollist, dhe tjetër trajner. Ndryshon në të gjitha aspektet, ndeshjen e ka decizive me Vllazninë. Defektet kryesore i ka pasur në mbrojtje që ka pësuar, porta, qendra. Vjet shënonte Teuta, dhe ishte e vështirë t’i ndëshkoje, imagjinoje për dy ndeshje ka pësuar katër gola. Ndërsa në sulm ka kualitet Teuta”.

Vllaznia: ”Kemi thënë që ka kontingjent të mirë lojtarësh, kishte probleme në mbrojtje por është forcuar. Vllaznia është skuadër që të shënon, kur krijohet siguri mbrapa. Është rival serioz për titull, ndërsa me Tiranën dhe Kukësin duhet të flasë për vendin e parë, këto janë momentalisht”.

Titulli: ”Ndoshta i hapi rrugë humbja e Tiranës me Kukësin, them që kampionati është bërë mjaft interesant. Megjithëse përpara ka ndeshje të vështira, do ta shohim në javët në vazhdim”.

Laçi: ”Ishte fillim i keq i kampionatit, pati përmirësim por nuk duhet gabuar më. Janë gabimet e mëparshme, nuk e menaxhuan mirë ndeshjen me Partizanin, ndërsa humbja në Shkodër ndodh. Ishte ndeshje e ekuilibruar, por vendosën episodet. Ishte moment pasigurie, shënoi Vllaznia, ndërsa më pas shkodranët menaxhuan mjaft mirë rezultatin”.

Dinamo: ”Ibraimi është lojtar me eksperiencë, është armë e fortë sidomos në goditje standarde. Ka shumë futbollistë Dinamo që i njohim, por nuk ka stabilitet gjatë 90 minutave, luan shumë mirë në një pjesë loje, fiket për 10 minuta. Kështu ishin dhe ndaj Kastriotit, e lëshuan në fund. Ka cilësi, ka lojtarë por nuk ruan ritmin. Janë të rrezikshme, por e rëndësishme ishte ajo fitore që e ngiti lart”.

Rreziku për të rënë nga kategoria: ”Për respekt të kundërshtarëve, por nëse ka shpresa Kastrioti kush duhet të ketë tjetër. Shikoj dhe Skënderbeun në vështirësi, nuk duhet vetëm pikët, por dhe fitorja. Ndërsa Egnatia mbetet aty, është më serioze se dy rivalet e tjera në fundin e tabelës. Surpriza do të ketë në javët në vazhdim”, u shpreh Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb