Deputeti demokrat në Lushnjë, Saimir Korreshi, tha në studion e emisionit “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, se prej katër muajsh në Spitalin e Lushnjës nuk kryhen mamografi.

Sipas deputetit, ministrja shkoi atje e veshur dhe pispillosur për të bërë fotografi, duke promovuar tetorin rozë, por në fakt nuk është përgatitur për një gjë të tillë, pasi nuk ofron shërbimin e nevojshëm për qytetarët.

“Dje ishte data 25 dhe kishte katër muaj që në Lushnjë nuk kryhej një mamografi, sepse nuk ka aparaturë. Kjo është tmerr. Lushnja është një nga 10 qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Nuk mund të injorosh një nga 10 qytetet më të mëdha, të vish e të pispillosesh, të bësh fotografi, të promovosh tetorin rozë, e mos të bësh mamografi. Kjo nuk është normale. Shumë veta më thonin që nuk ka mamografi, pyeta dhe nuk kishte. Menjëherë pas denoncimit tim, më thanë që nesër do vijë ministrja, që aparatura është, etj. Në 25 ditë, nëse promovon diçka, duhet të përgatitesh përpara”, tha deputeti.

Pyetje: Çfarë problematikash keni konstatuar te blegtoria?
Korreshi: I gjithë fshati po blen qumësht në qytet, sepse lopët janë zhdukur, kanë ikur në drejtim të paditur. Njerëzit e kanë të pamundur të mbajnë lopë. Në fshat është frikë se nuk e ndjen më erën karakteristike të lopës më. Kanë filluar të bëhen specie në zhdukje. Një lopë, me 20 litra në ditë, i bie 8 mijë lekë të vjetra në ditë. Nuk i del as për t’u vetëushqyer. Lushnja është realisht hambari i Shqipërisë, por sot fermeri është në ditën më të zezë. Unë fola me një fermer, që është i majtë realisht. E kam pyetur nëse e kanë marrë naftën. Më tha “Saimir dëgjo, e di sa i kënaqur jam, sa hyn 2oo mijë lekëshi te 20 milionëshi, aq i kënaqur jam”. Ai harxhonte deri në 20 milionë lekë të vjetra, pa kompensuar këtu plasmasin. Imagjino çfarë dhimbje. Sot fermerët shqiptarë presin të dalin barazim. Një tjetër fermer më tha “fara e asaj domates që ka ardhur është skarcitet”. Nuk mund të thotë Ministria e Bujqësisë për hormone, kur njëra bimë jep, e tjetra jo. Unë e di që hormoni i rrit dhe i shumon farat. Kurse këto domate nuk dhanë asgjë.

Pyetje: Vaksinën do ta bëni?
Korreshi: Me thënë të drejtën kam qenë pak skeptik me këtë vaksinën, se ka ca vaksina kineze, e indiane. Nuk kam asgjë kundër vaksinave, por dua që kjo vaksina të mos imponohet. Unë e kam kaluar lehtë, në këmbë, me paracetamol.

Pyetje: Para se të vinit këtu keni pasur një takim me kryetarët e degëve, çfarë diskutuat?
Korreshi: Ne kemi shkuar për amendamentet kushtetuese, ku kryesisht ka qenë reforma territoriale. Realisht kjo hartë që është nuk ka qenë e dobishme dhe eficente. Ne kemi pasur 14 komuna dhe 2 bashki në Lushnjë e Divjakë, por këto 14 komuna u suportuan në vetëm këto 2 bashki. Po të marrësh Lushnjë e Divjakë janë më të mëdha se Kukësi, Dibra e Gjirokastra bashkë. Pasoja është se nuk ka sjellë asnjë lloj shërbimi te qytetarët. Po shkohet te 100-120 bashki.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb