Diku një përqafim, diku një takim duarsh e një puthje në ballë. Duar të nderura në ajër që përshëndesin të dashurit e zemrës. Porti i Durrësit ka qenë sot dëshmitar i emocioneve të shumta, ndërsa të afërmit ndaheshin nga 21 ushtarakët që do të monitorojnë nga sot, situatën në detin Egje në kuadër të operacionit të NATO-s “Sea Guardian”.

Anija Oriku është nisur sot nga ky port me në bord 21 ushtarakë shqiptarë si pjesë e misionit për sigurinë e Mesdheut. Me vete kanë edhe një amanet, flamurin kuq e zi.

Të pranishëm për përcjelljen në mision të anijes ishin ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantët e forcave, ushtarakë dhe familjarë të efektivëve pjesëmarrës në mision.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se pasiguria në rritje në Mesdheun lindor e jugor ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e aleancës sonë. “Ngjarjet që ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme”, tha ajo.

Më tej ajo vijoi duke thënë se “Misioni ushtarak detar në detin Egje, midis dy vendeve tona aleate, Greqisë dhe Turqisë, është dëshmia më e mirë e unitetit dhe gatishmërisë që të gjithë vendet e NATO-s kanë.

Kodheli theksoi se “prania jonë në detin Egje, në radhë të parë i takon solidaritetit që Shqipëria tregon ndaj fqinjëve dhe aleatëve. Ushtarakët tanë kanë qenë në çdo pikë të nxehtë të globit, por tani problemet janë afruar në kufijtë tanë. Dhe ne duhet të jemi aty. Jeta në anije është nga më të vështirat e më sfiduese. Misioni në det të hapur po aq. Unë ju përgëzoj për çdo gjë që ju keni bërë deri më sot”, tha ajo. Anija “Oriku” do i bashkohet Greqisë dhe Turqisë, të cilët nën komandën e holandezëve do të vijojnë kryerjen e operacioneve NATO.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb