TIRANE – Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e shoqëruar nga Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari dhe disa dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të LRI-së, zhvilluan një vizitë tek Shtëpia e Foshnjës në Tiranë ku shpërndanë dhurata për fëmijët.

Të rinjtë e LRI-së organizuan edhe një festë për të zbukuruar sa më shumë periudhën festive për fëmijët jetimë.

Deputetja Kejdi Mehmetaj së bashku me Kryetarin e LRI-së, Endrit Braimllari shprehën mbështetjen për këta fëmijë dhe i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të kujdesen edhe më shumë për fëmijët në nevojë.

Gjatë takimit, Mehmetaj tha se LRI e organizon këtë takim për t’i qëndruar më pranë fëmijëve. “Në këtë ditë të fundit të vitit, bashkë me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, kemi vendosur që festat t’ia urojmë edhe fëmijëve të vegjël, që ndoshta këto ditë nuk i gëzojnë si të gjithë ne, në mungesë të familjarëve të tyre, por ne shpresojmë që sot t’i kemi falur sado pak dashuri sepse ajo që kanë më shumë nevojë është pikërisht dashuria në këto ditë të fundit të vitit”, tha Mehmetaj.

Deputetja Mehmetaj falënderoi stafin e Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë për përkushtimin e madh që kanë në kujdesin e fëmijëve jetim. “Ne kemi qenë sot këtu ku kemi parë punën dhe gjithë përkushtim që bëjnë të gjitha kujdestaret, i gjithë personeli dhe i gjithë stafi i shtëpisë së foshnjës. Dua t’i falënderoj në emrin tonë dhe besoj në emër të gjithë qytetarëve për punën e mrekullueshme që bëjnë çdo ditë pa u lodhur për këta fëmijë për të cilët janë bërë edhe prindër”, tha Mehmetaj.

Ndër të tjera, deputetja Kejdi Mehmetaj tha se LRI do ta vijojë të organizimin çdo fundjavë të vitit 2015 për t’i qëndruar sa më pranë fëmijëve. “Puna jonë nuk do të ngelet me kaq. Ne vërtet erdhëm sot për të uruar festat e fundvitit, por do të vazhdojmë që të jemi çdo fundjave në këtë institucion dhe në institucionet e tjera për t’i qëndruar pranë fëmijëve, për t’i ndihmuar ata, dhe siç e përmenda, për të falur atë dashuri që atyre u mungon”, tha Mehmetaj.

Ndërsa Drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë, Eva Kushta falënderoi iniciativën e LRI-së. “Vlerësojmë shumë ardhjen e të rinjve të LRI-së në këto ditë festash, jo vetëm për faktin se sot dhuruan shumë dashuri tek fëmijët, por edhe për iniciativën e marrë që çdo fundjavë të jenë të pranishëm pranë fëmijëve. Me të vërtetë është një mesazh shumë i bukur që përcillet tek gjithë të rinjtë dhe njerëzit e tjerë që duan t’u dhurojnë dashuri këtyre fëmijëve”, tha Eva Kushta.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: