SHKUP- LSDM ka dorëzuar në KSHZ listën e 42 mijë votuesve që sipas tyre janë të dyshimtë dhe që duhet të fshihen nga lista zgjedhore. Por sipas opozitës nuk bëhet fjalë për ndonjë nismë spektakolare pasi që rezultatet e dorëzuara, burojnë pikërisht nga Komisioni Shtetëror I Zgjedhjeve. “Të gjithë atë që e propozojmë është marrë nga KSHZ-ja, në përputhje me krahasimin e bazës së të dhënave, bazuar në kontrollin në terren ashtu siç e bënë dhe në përputhje me verifikimin administrativ në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pjesa që KSHZ nuk e respekton rregulloren zgjedhore dhe nuk i respektojnë metodologjitë e pastrimit të listës së zgjedhësve që vetë ata njëzëri i miratuan, është problem i vetë KSHZ-së. Duket qesharake por po, ne i dorëzuam KSHZ-së të dhënat e tyre”, u shpreh Damjan Mançevski, LSDM.

Ndërkohë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi pas takimit me ambasadoren e OSBE-së në Shkup hodhi dyshime se institucionet e shtetit gjatë pastrimit do të dëmtojnë votuesit shqiptarë. Sipas Thaçit Lista aktuale zgjedhore ka akoma votues fiktiv dhe se fajin kryesor për këtë e kanë institucionet e shtetit që kontrollohen nga pushteti dhe që nuk dërgojnë të dhëna të sakta në KSHZ. Kreu i opozitës thotë se në pamundësi të fshirjes së votuesve fiktiv PDSH nuk pajtohet me fshirjen e personave të tjerë që ekzistojnë, por që për momentin nuk gjenden në vend, shumica e të cilëve mbi 80% janë shqiptarë. Seanca e radhës në KSHZ ku do të diskutohen votuesit e dyshimtë, pritet të realizohet brenda javës.

Nga ana tjetër Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka komentuar shkurtimin prej 7 milion eurove që iu bë buxhetit të këtij institucioni. Buxheti i paraparë për KSHZ-në gjatë vitit 2016 ka qenë rreth 8.7 milion euro, ndërsa me rishikimin e ri të buxhetit, Komisionit Zgjedhor i mbesin vetëm 1.7 milion euro. LSDM e ka quajtur të gabuar vendimin për shkurtimin e fondeve për KSHZ-në duke theksuar se në këtë mënyrë goditet institucioni i cili duhet të garantojë zgjedhje korrekte dhe demokratike./alsat.m
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: