Lëvizja Socialiste për Integrim në Vlorë ka denoncuar sot rrëmbimet e ndodhura në Vlorë duke akuzuar shtetin për ortakëri me krimin.

Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i LSI të Vlorës Gëzim Lacaj tha se kjo është ana tjetër e shëmtuar e qeverisjes në Vlorë, ku kryeministri Rama është edhe deputet.

DEKLARATA E PLOTË
KRIMI ËSHTË FYTYRA E VËRTETË E QEVERISË NË VLORË.
– Deklaratë për shtyp e zëdhënësit të LSI-së Vlorë, Gezim Lacaj
Në cilësinë e zëdhënësit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të bashkisë Vlorë, dua që me anë të kësaj konference për shtyp, të tërheq vëmendjen e opinionit qytetar në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë mbi një fakt tragjik:
Gjatë qeverisjes së Edi Ramës dhe falë inkurajimit shtetëror të krimit, Vlora u shndërrua në teatrin tragjik të rrëmbimeve kriminale, me pasojë zhdukjen pa lënë gjurmë të shumë qytetarëve.

Sipas burimeve zyrtare, që prej kur Edi Rama është kryeministër e deri sot, janë referuar në Prokurorinë e Vlorës rreth 80 raste të rrëmbimit dhe të zhdukjes së personave.
Vetëm në vitin 2016 kur kanabizimi i Shqipërisë arriti kulmin, janë rrëmbyer dhe zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, 16 qytetarë të Vlorës, fatin e të cilëve nuk e di askush.
Nuk është e rastit që sa herë rriten sasitë e kultivimit të drogës, shfaqen edhe rastet e rrëmbimit të qytetarëve, siç ndodhi edhe në tetor të këtij viti, kur u shënua rrëmbimi i radhës së një qytetari nga Vlora.
Rrëmbimi dhe zhdukja pa lënë gjurmë e qytetarëve, është njëra nga pamjet e kriminalizimit të Vlorës, ku mosveprimi i shtetit, është në ortakëri të plotë me grupet kriminale.
Shteti nuk të vret vetëm kur të qëllon pas shpine, por të vret edhe kur lejon krimin të lulëzoje, edhe kur lejon drogën të mbulojë Shqipërinë, edhe kur lejon grabitjen e qytetarëve në mes të ditës dhe në mes të Vlorës.
Krimi është fytyra e vërtetë e qeverisë dhe Vlora për fat të keq, është pjesa më e kriminalizuar e vendit, që është padyshim edhe për meritën e veçantë të deputetit të Vlorës dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Kriminalizimi i Vlorës është vepër e drejtpërdrejtë e Edi Ramës, ndaj që Vlora të shpëtojë nga krimi, duhet më parë të shpëtojë nga Edi Rama dhe çibanët e krimit që ai i ka sjellë Vlorës.
Ta shpëtojmë Vlorën nga Edi Rama!
Ta pastrojmë Vlorën nga Edi Rama!

Lsi
Lsi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb